Për nder të festës së 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, sot në Ferizaj u mbajt turneu i volejbollit për femra, ku garuan ekipet e institucioneve dhe shkollave të qytetit, në një aktivitet që promovoi sportin, bashkëpunimin dhe përfshirjen e vajzave e grave në aktivitete sportive.
Në turne morën pjesë ekipet e FSK-së, Policisë së Kosovës, Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj, si dhe të SHML “Kuvendi i Arbërit”, Qendrës së Kompetencës dhe SHML “Elena Gjika”.
Në këtë aktivitet ishte i pranishëm drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Gazmend Bytyqi, së bashku me stafin e tij, si dhe udhëheqësi i Sektorit të Sportit, Alban Hoxha. Drejtësinë në fushë e ndau referi Arsim Lohaj, ndërsa organizimi i turneut u realizua nga Sektori i Rinisë dhe Sportit.
Në kategorinë e institucioneve, vendin e parë e zuri Spitali i Përgjithshëm në Ferizaj, vendin e dytë FSK-ja, ndërsa vendin e tretë Policia e Kosovës.
Në kategorinë e shkollave, vendin e parë e fitoi SHML “Kuvendi i Arbërit”, vendin e dytë Qendra e Kompetencës, ndërsa vendin e tretë SHML “Elena Gjika”.
Përtej garës dhe rezultateve, ky aktivitet kishte për qëllim promovimin e përfshirjes së vajzave dhe grave në sport, si dhe nxitjen e qytetarëve të Ferizajt për t’u angazhuar më shumë në aktivitete sportive dhe rekreative.
Organizatorët falënderuan të gjithë pjesëmarrësit për kontributin dhe angazhimin e tyre, duke përcjellë mesazhin se sporti është shëndet, jetë dhe një mundësi e rëndësishme për promovimin e barazisë dhe mirëqenies.