Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” ka mbajtur sot një takim me anëtarët e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, ku temë diskutimi ishin politikat sociale, shërbimet sociale dhe sfidat me të cilat përballen qytetarët në nivel lokal.
Në hapje të takimit, drejtori ekzekutiv i këtij instituti, Visar Ymeri, foli për rëndësinë e politikave sociale dhe nevojën për fuqizimin e rolit të përfaqësuesve lokalë në përmirësimin e shërbimeve dhe mirëqenies sociale të qytetarëve.
Ymeri theksoi se ky projekt trevjeçar synon të forcojë përfshirjen e përfaqësuesve lokalë në adresimin e çështjeve sociale, si dhe të krijojë mekanizma më të rregullt të komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve lokale, me qëllim që nevojat e qytetarëve të adresohen në mënyrë më efektive.
Gjatë diskutimit, anëtarët e Kuvendit të Komunës së Ferizajt paraqitën nevojat, problemet dhe sfidat sociale me të cilat përballen qytetarët e komunës. Ata ngritën shqetësime lidhur me vështirësitë në zbatimin e disa ligjeve dhe politikave, duke vlerësuar se një pjesë e këtyre sfidave burojnë nga niveli qendror, ku hartohen dhe miratohen ligje, zbatimi i të cilave në praktikë shpeshherë është i vështirë.
Një nga temat që ngjalli diskutim ishte edhe nevoja për krijimin e qendrave për gratë pensioniste, duke pasur parasysh se shumë prej tyre nuk kanë hapësira të përshtatshme ku mund të kalojnë kohën e lirë, të socializohen dhe të zhvillojnë aktivitete të ndryshme. U theksua rëndësia e krijimit të hapësirave të tilla, të cilat do të kontribuonin në përmirësimin e mirëqenies sociale dhe në luftimin e izolimit social të kësaj kategorie.
Ky projekt trevjeçar mbështetet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), në kuadër të programit “Eja Kosovë”, dhe bashkëfinancohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia. Programi synon forcimin e dialogut social dhe avancimin e qeverisjes gjithëpërfshirëse në nivel lokal.
Takimi shërbeu si një mundësi për shkëmbimin e ideve dhe përvojave, si dhe për identifikimin e sfidave dhe nevojave konkrete në fushën e politikave sociale, me synimin e përmirësimit të shërbimeve dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve të Ferizajt.