Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), organizoi një takim informues me përfaqësues të bizneseve të Ferizajt, me qëllim prezantimin e mundësive për mbështetje përmes programit EBRD Advice for Small Businesses (ASB).
Gjatë takimit u prezantuan mundësitë e përfitimit nga projektet individuale dhe ato në grup, përmes të cilave BERZH mbulon deri në 60% të kostos së konsulencës për projektet individuale dhe deri në 90% për projektet në grup. Vëmendje e veçantë iu kushtua fushave të digjitalizimit dhe menaxhimit financiar, si dy komponentë të rëndësishëm për zhvillimin dhe avancimin e bizneseve.
Drejtori i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Balton Derguti, theksoi se mbështetja e bizneseve lokale mbetet një ndër prioritetet kryesore të Drejtorisë. Ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me organizata dhe institucione që ofrojnë grante dhe programe mbështetëse, me synim krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e sektorit privat në Ferizaj.
Synimi ynë është që bizneset lokale të kenë më shumë informacione, qasje më të lehtë në programe mbështetëse dhe mundësi konkrete për rritje, modernizim dhe rritje të konkurrueshmërisë në treg.
Përmes bashkëpunimeve të tilla, po vazhdojmë të krijojmë ura të reja mbështetëse për bizneset e Ferizajt, duke kontribuar në një ekonomi lokale më të zhvilluar, më inovative dhe më konkurruese.