Gjatë këtyre ditëve ka filluar zgjerimi i Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve “Shtëpia Ime” në Ferizaj, me qëllim të rritjes së kapaciteteve për strehimin, mbrojtjen dhe trajtimin e grave dhe fëmijëve viktima të dhunës në familje.
Sipas menaxheres së projektit, Gresa Kllokoqi, hapësira e re pritet të ndikojë ndjeshëm në rritjen e kapaciteteve të qendrës dhe në krijimin e kushteve më të përshtatshme për gratë dhe fëmijët që kanë nevojë për strehim, mbrojtje dhe mbështetje.
Ajo theksoi se zgjerimi i objektit do të krijojë kushte më të mira dhe më dinjitoze për trajtimin e rasteve, ndërsa një tjetër përfitim i rëndësishëm do të jetë edhe rritja e qëndrueshmërisë financiare të organizatës.
“Hapësira e re do të na mundësojë që të rrisim kapacitetin dhe, njëkohësisht, të krijojmë kushte më të mira dhe më dinjitoze për secilin rast që trajtojmë. Një përfitim tjetër shumë i rëndësishëm është edhe qëndrueshmëria financiare e organizatës. Deri tani, një pjesë e konsiderueshme e mjeteve tona është shpenzuar për pagesën e qirasë së objektit ku funksionon strehimorja, si dhe për shpenzimet e komunaleve. Me kalimin në objektin e ri, këto shpenzime do të zvogëlohen ndjeshëm, duke na mundësuar që mjetet që deri tani janë destinuar për qira dhe shpenzime të tjera të objektit t’i orientojmë drejtpërdrejt te përfituesit tanë. Këto mjete do të mund të përdoren për organizimin e më shumë aktiviteteve, programeve të fuqizimit dhe riintegrimit, trajnimeve profesionale, mbështetjes për fëmijët, si dhe për shërbime dhe aktivitete të tjera që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien dhe pavarësimin e grave dhe fëmijëve që trajtojmë”, është shprehur Kllokoqi.
Zgjerimi i Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve “Shtëpia Ime” po financohet nga The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints (Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme).
Projekti pritet të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të qëndrimit dhe shërbimeve për gratë dhe fëmijët që kërkojnë strehim dhe mbështetje, si dhe në fuqizimin e programeve që synojnë riintegrimin dhe pavarësimin e tyre.