Me një mbrëmje të pasur me promovime, bashkëbisedime dhe poezi, u përmbyll dita e katërt dhe njëkohësisht e fundit e Edicionit VIII të Panairit të Librit në Ferizaj.
Tri aktivitete letrare sollën para publikut autorë, vepra, poezi dhe publicistikë, duke e mbyllur këtë edicion me një program që i dha hapësirë librit dhe krijuesve ferizajas e më gjerë.
Programi i ditës nisi me prezantimin e një prej veprave të autorit Aid el-Karni, botuar nga Shtëpia Botuese “Dëshmia”. Në bashkëbisedimin me Ramadan Kashtanjevën, nga stafi i kësaj shtëpie botuese, u fol për veprën, mesazhin e saj, si dhe për veprimtarinë botuese të “Dëshmisë”.
Aktiviteti i dytë i kushtohej krijimtarisë së tri autoreve ferizajase: Idajete Imeri, Blerta Tmava Veselaj dhe Bulëza Hysenaj Ademi. Përmes bashkëbisedimit me udhëheqësen e aktivitetit, autoret prezantuan krijimtarinë e tyre, librat dhe rrugëtimin e tyre letrar. Për veprën e Bulëza Hysenaj Ademit foli edhe Alban Hajrushi, ndërsa poezi nga krijimtaria e Blerta Tmava Veselajt interpretoi Safet Syla.
Aktiviteti përmbyllës i mbrëmjes iu kushtua gazetarit dhe publicistit Nehat Islami, me promovimin e librit të tij më të ri, “Gjarpri ilir lidh shekujt”, botuar nga Botimet DRINI.
Për librin dhe krijimtarinë shumëvjeçare të autorit folën Xheladin Rexhepi dhe Rexhep Maloku, ndërsa u lexua edhe vlerësimi i Avni Halimit. Përmes shkrimeve të përmbledhura në këtë vëllim, libri sjell para lexuesit dekada të gazetarisë, kulturës dhe kujtesës historike shqiptare.
Promovimet dhe bashkëbisedimet e kësaj dite u udhëhoqën nga Zyrafete Shala.
Me këtë mbrëmje u përmbyllën aktivitetet letrare të Edicionit VIII të Panairit të Librit në Ferizaj. Përgjatë katër ditëve, panairi solli libra, autorë, botues dhe lexues në një hapësirë të përbashkët të komunikimit dhe shkëmbimit kulturor.
Edicioni i sivjetshëm dëshmoi edhe një herë se panairi është shumë më tepër se një hapësirë ku ekspozohen dhe promovohen libra. Ai është një vendtakim i autorëve, botuesve, lexuesve dhe të gjithë atyre që besojnë në vlerën e fjalës së shkruar dhe në rëndësinë e kulturës.
Klubi Letrar “De Rada” shpreh mirënjohjen dhe falënderimin për të gjithë autorët, botuesit, lexuesit, vizitorët dhe publikun që u bënë pjesë e këtyre katër ditëve, duke kontribuar në suksesin dhe mbarëvajtjen e Edicionit VIII të Panairit të Librit në Ferizaj.