Komuna e Ferizajt ka përgatitur Draft-Statutin e Teatrit të Qytetit “Adriana Abdullahu”, dokument që synon të rregullojë në mënyrë të plotë statusin juridik, organizimin, funksionimin dhe zhvillimin institucional të teatrit si institucion publik i kulturës.
Sot është mbajtur edhe konsultimi publik për këtë dokument me rëndësi të veçantë për Teatrin e Qytetit, ku janë prezantuar përmbajtja dhe qëllimet kryesore të draft-statutit, ndërsa pjesëmarrësit kanë pasur mundësi të japin komentet dhe sugjerimet e tyre.
Drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Gazmend Bytyçi, tha se draft-statuti përcakton misionin dhe veprimtarinë e teatrit, strukturën udhëheqëse, kompetencat e Drejtorit dhe të Këshillit Artistik, organizimin e brendshëm, mënyrën e financimit, planifikimin dhe raportimin e punës, funksionimin e ansamblit rezident, bashkëpunimet artistike, administrimin e infrastrukturës, arkivës, si dhe rregullat për transparencën dhe aktet e brendshme të institucionit.
Ndërkaq, drejtori i Teatrit të Qytetit “Adriana Abdullahu”, Fatmir Hyseni, theksoi se dokumenti është hartuar në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-245 për Art dhe Kulturë, Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe Statutin e Komunës së Ferizajt, me synimin për të forcuar bazën ligjore dhe organizative të teatrit.
Me miratimin e këtij statuti pritet të krijohen kushte më të favorshme për zhvillimin e veprimtarisë artistike, avancimin e standardeve profesionale, mbështetjen e krijuesve dhe aktorëve, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit me institucione kulturore brenda dhe jashtë vendit.
Pas përfundimit të konsultimit publik dhe shqyrtimit të komenteve të pranuara, Draft-Statuti do t’u nënshtrohet procedurave ligjore për shqyrtim dhe miratim nga organet kompetente të Komunës së Ferizajt.