Me synimin për përmirësimin e shërbimeve dhe kujdesit shëndetësor për gratë dhe vajzat e mbijetuara të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës seksuale, gjatë ditës së sotme në zyrën e drejtoreshës së QKMF-së në Ferizaj, dr. Nadire Ymeri, u mbajt një takim informues me menaxheren e Projektit THTP në Kosovë, znj. Negihan Xërxa.
Gjatë takimit u prezantua Programi Transnacional i Trajnimeve Shëndetësore (THTP), i cili zbatohet në bashkëpunim me organizata lokale partnere të organizatës gjermane. Në Kosovë, ky projekt implementohet nga organizata medica Gjakova.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, QKMF-ja në Ferizaj është përzgjedhur për implementimin e fazës së parë të projektit, e cila përfshin trajnimin e profesionistëve shëndetësorë sipas modelit “Trajnim i Trajnerëve” (Training of Trainers – TOT). Zbatimi i projektit pritet të nisë pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit, e planifikuar gjatë muajit shtator.
Më pas, projekti do të vazhdojë me fazën e dytë dhe të tretë, të cilat parashohin trajnimin e stafit shëndetësor, me qëllim rritjen e kapaciteteve profesionale, sigurimin e qëndrueshmërisë së programit dhe vazhdimësinë e aktiviteteve trajnuese në nivel lokal.
Drejtoresha e QKMF-së, dr. Nadire Ymeri, shprehu mirënjohjen për mundësinë e përfshirjes së institucionit në këtë program, duke theksuar se projekte të tilla janë të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve të ofruesve të shërbimeve shëndetësore publike dhe organizatave të shoqërisë civile, me fokus në ofrimin e mbështetjes profesionale për personat e mbijetuar nga trauma dhe dhuna me bazë gjinore.