Në lidhje me projektin infrastrukturor në fshatin Bibaj, që tashmë është në fazë të avancuar të punimeve, duke paraqitur vetëm të vërtetën e mbështetur në fakte të pamohueshme, sqarojmë opinionin publik se:
– Së pari, Komuna e Ferizajt ka hartuar projektin infrastrukturor në fshatin Bibaj në kufijtë buxhetor të përcaktuar nga Ministria (pra sipas mundësive buxhetore nga Ministria), fakt ky që ka ndikuar që disa aspekte/detaje teknike të këtij projekti (si p.sh. Shpronësimi për rregullimin e rreth rrotullimit, ndriçimi publik, gjelbërimi, zgjerimi i rreth rrotullimit tek dalja e autostradës i cili është jashtë këtij projekti por që ndikon direkt në kolonat që po shkaktohet në këtë rrugë, vendosja e dy palë semaforëve etj.), të shihen si mundësi për realizim më të vonshëm dhe jo në kuadër të këtij projekti, pra projekti aktual është produkt i mundësive buxhetore të ofruara nga Ministria.
– Së dyti, Komuna ka paraqitur kërkesë pranë Ministrisë së Infrastrukturës për realizimin e rreth rrotullimit në fshatin Bibaj (siç shihet në fotografi) zgjidhje kjo që i jep përgjigje përfundimtare e afatgjate qarkullimit rrugor në këtë pjesë, mirëpo si e tillë kjo kërkesë nuk ka gjetur mbështetje nga ana e Ministrisë, madje na është kërkuar të bëhet një zgjidhje e përkohshme, fakt ky që rrëzon pretendimin e Ministrisë përmes sqarimit të saj publik se kinse Komuna ka rekomanduar zgjidhjen përmes një rreth rrotullimi të përkohshëm. Pra, e vërteta është se Komuna nuk ka rekomanduar rreth rrotullim të përkohshëm, por rreth rrotullim që i jep zgjidhje afatgjate kësaj problematike, ndërsa Ministria nuk e ka mbështetur këtë kërkesë, duke rekomanduar kështu rregullimin e rreth rrotullimit të përkohshëm.
– Së treti edhe Ministria e Infrastrukturës, ka monitoruesit në këtë projekt si financuese e këtij projekti, andaj është e pasinqertë që të tentohet t’i atribuohet i gjithë “faji” Komunës.
– Sa më sipër, Komuna ka ndërmarr tashmë veprimet e nevojshme, ashtu që të mundësohet qarkullim i lirë e pa pengesa në këtë zonë, duke ndërhyrë në rreth rrotullimin ekzistues.
Kërkojmë nga Ministria e Infrastrukturës që për këtë projekt, ta rishqyrtoj kërkesën e paraqitur nga ana e Komunës për këtë projekt (Shpronësimi për rregullimin e rreth rrotullimit, ndriçimi publik, gjelbërimi, zgjerimi i rreth rrotullimit tek dalja e autostradës, vendosja e dy palë semaforëve etj.), duke ndarë buxhet shtesë, ashtu që si i tillë ky projekt të kompletohet me të gjitha detajet teknike, duke i shërbyer qarkullimit rrugor të rregullt, të sigurt e pa pengesa.