Gjatë ditës së sotme, Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ferizaj, Xhavit Zariqi, i shoqëruar nga zyrtari i lartë për çështje të kuvendit, Leutrim Mahmuti, priti në një vizitë studimore delegacionin e Këshillit Bashkiak të Kukës, të kryesuar nga Albert Muja.
Kjo vizitë u realizua në kuadër të projektit “Bashki të Forta” (BtF), i financuar nga Swiss Agency for Development and Cooperation dhe Qeveria e Suedisë, me synim shkëmbimin e përvojave dhe identifikimin e modeleve të suksesshme që këshillat bashkiakë në Shqipëri mund t’i përshtatin në kontekstin e tyre institucional.
Me këtë rast, Kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Xhavit Zariqi, i njoftoi pjesëmarrësit në mënyrë të detajuar lidhur me funksionimin e Kuvendit të Komunës së Ferizaj, komitetet obligative, procedurat e punës, si dhe iu përgjigj pyetjeve dhe interesimeve të delegacionit.
Temë e rëndësishme e diskutimit ishte edhe funksionimi i komisioneve të kuvendit komunal, proceset e konsultimeve publike dhe modelet e mbikëqyrjes së ekzekutivit në nivel lokal, të cilat kontribuojnë në rritjen e llogaridhënies, transparencës dhe mirëqeverisjes.
Vizita studimore u fokusua në tri shtylla kryesore që lidhen drejtpërdrejt me funksionet e këshillave bashkiakë dhe objektivat e projektit BtF: funksionimi i komisioneve të kuvendit komunal dhe procedurat e brendshme, konsultimet publike dhe pjesëmarrja qytetare, mbikëqyrja dhe marrëdhënia me ekzekutivin, përfshirë raportimet periodike të ekzekutivit dhe institucioneve vartëse, vlerësimin e performancës dhe monitorimin e zbatimit të vendimeve.
U theksua se përmes kësaj vizite synohet shkëmbimi i përvojave konkrete dhe identifikimi i praktikave më të mira që mund të zbatohen në të ardhmen. Në përfundim të vizitës pritet të hartohet një plan veprimi për zbatimin e praktikave të përfituara nga këto vizita studimore.
Gjithashtu, u bë e ditur se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen përmes shkëmbimit të vizitave reciproke, ku një delegacion nga Ferizaj pritet të vizitojë Shqiperine.
Në fund të takimit, palët shkëmbyen edhe dhurata simbolike në shenjë respekti dhe bashkëpunimi të ndërsjellë.