Në ambientet e Teatrit “Adriana”, paraditen e sotme u mbajt mbledhje komemorative në kujtim të veprës sakrificëplote të nënës heroinë, nënës së veprimtarëve atdhetarë, nënës Fatime Xhemaili.
Kjo mbledhje komemorative që u organizua nën përkujdesjen e veçantë të Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, mblodhi qindra ferizajas, familje të dëshmorëve, veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish të burgosur politikë, lidership politik e institucional, veprimtarë atdhetarë nga gjithë gjeografia shqiptare.
Në fjalën e tij në emër të Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i cili ndodhet në udhëtim zyrtar jashtë shtetit, drejtori komunal Afrim Llabjani, vlerësoi lartë kontributin e familjes Xhemaili, sakrificat e nënës heroinë, nënës Fatime.
“Kjo datë e 24 marsit, datë që paraqet një kapitull të rëndësishëm historie për Kosovën, çel sot, me komemoracionin për nënën heroinë, për fisniken qëndrestare, Nënën Fatime së cilës po i japim lamtumirën e fundit. Nëna Fatime, është shembulli më kuptimplotë, mishërimi i gjallë, i nënës shqiptare, të lindur, rritur e jetuar gjithë jetën me sakrifica të panumërta, me zezona e vuajtje që skalitën gjithë sfodin e jetës së saj. Nëna Fatime, është nëna e lirisë, nëna që rriti shtatin e djemve e vashave dalzotës, për t’ia falur Kosovës, për t’ia dhënë lirisë së saj. Ajo i dha shumë Kosovës, i dha bijtë e bijat e saj, mbi të gjitha dha shembullin e një gruaje të pamposhtur në stuhitë e jetës, në rrebeshet e historisë, të cilat i barti mbi supe, trimërisht me bijtë e bijat e saj. Nëna Fatime i dha Ferizajt e Kosovës, Kryetarin Bajrush Xhemajli, veprimtarët, deputetë, artistët, gazetarët – bijtë e bijat e saj. Vdekjen, vuajtjen, robërinë e fatkeqësitë, për të dhe familjen i përbuzi Nëna Fatime. Ajo besonte tek liria, ajo kishte lidhur fatin e saj dhe fëmijëve të saj, me fatin e Kosovës. Sot, kur po i japim lamtumirën e fundit, me sy të njomë nga loti i dhembjes, jemi krenarë që e njohëm, nga ajo morëm frymëzimin, nga familja e saj, morëm shembullin e përpjekjes më të lavdishme për liri. Ne dhe brezat që do të vijnë pas saj, kemi shtigjet e hapura, kemi horizontet e qarta, kemi lirinë që sot e jetojmë, falë saj, falë nënave të tilla, falë qëndresës që shquajti gruan shqiptare ndër shekuj, falë bijve e bijave që rritën këto heroina, për t’i sjellë rrezet e lirisë përjetësisht Kosovës. Kjo mbledhje komemorative, organizohet nën përkujdesin e veçantë të Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i cili gjendet jashtë vendit në një udhëtim zyrtar në Strasburg, e ku më lejoni të sjellë para jush, TELEGRAMIN E NGUSHËLLIMIT të Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu për nënën Fatime dhe familjen Xhemaili.
“Me dhembje e pikëllim, mora lajmin për ndarjen nga jeta të nënës simbol të qëndresës, sakrificës, atdhedashurisë, nënës Fatime Xhemaili.Nëna Fatime i dha Kosovës veprimtarët nga më të dalluarit të çështjes kombëtare, atdhetarët sypatrembur, i dha Kosovës Bajrush Xhemailin, Mustafën, Emrushin, Qamilin, Mufailin, Nazifen e Lumnijen secili nga ta emra të përveçëm, të skalitur përjetësisht me kontributin e tyre në historinë e themelet e lirisë së Kosovës, kontribut e lavdiplotë për të sotmen që gëzojmë si shtet e shoqëri. Nëna Fatime, qëndroi e palëkundur, përballë sakrificave të panumërta për dekada, heroinë e shembëlltyra më fisnike e nënës shqiptare. Ngushëllime të sinqerta familjes Xhemaili, bashkëveprimtarëve, miqve e të gjithë të njohurve të të ndjerës. Pushoftë në parajsën e paskaj, shpirti i saj fisnik!”. Padyshim, fjalët nuk kanë forcën të shprehin dhembjen e pikëllimin, porse jeta e Nënës Fatime, e përkufizon vet atë, nënë të sakrificës, nënë të qëndresës, nënë të lirisë së Kosovës. Ngushëllime të sinqerta familjes Xhemaili, miqve, të njohurve të familjes! U prehtë në parajsë, shpirti i saj i bardhë!” u shpreh drejtori Llabjani në fjalën e tij.
Gjersa me fjalë rasti, duke evokuar kujtimet përplot emocion, për lavdinë e heroinës nënës Fatime të pranishmëve iu drejtuan edhe një nga themeluesit e UÇK-së e lideri politik i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti, në emër të shokëve bashkëveprimtarë të çështjes kombëtare të pranishmëve iu drejtua, ish eprori i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, veprimtarët atdhetarë Berat Luzha e Halil Selimi gjersa në emër të familjes Xhemaili të pranishmit i falënderoi për fjalët ngushëlluese e pjesëmarrjen në komemoracion, vajza e nënës Fatime,Nazife Xhemaili.