Zonja Remzije, që shquhet për modestinë e fisnikërinë e saj, ishte nga të parat anëtare e soliste të ShKA “Kastrioti”, atëherë kur një gjë e tillë në Ferizajn e viteve ’60, paraqiste një shkallë emancipimi, me koncertet e paraqitjet e saja, që i lanë gjurmë kulturës ferizajase. Në pasionin e profesionin e saj, mësuesinë u shqua gjithashtu.
Normaliste e gjeneratës 1967/’68, zonja Remzije nisi punën më 1968 në e ciklin e ulët në shkollën fillore „Tefik Çanga“ në Varosh, e cila ishte paralele e ndarë e shkollës me të njejtin emër në Ferizaj, gjersa ishte e para mësuese e fshatrave Nikadin e Varosh, ku shërbeu në shkollën “Visar Dodani” më 1992, kur kjo shkollë u pavarësua nga shkolla “Tefik Çanga”, detyrë e mision që e kreu deri në pensionimin e saj. Rrugën e saj të avancimit profesional, mësuesja Remzije, e vijoi edhe me përfundimin e Shkollës së Lartë Pedagogjike në Gjilan.
Rruga e saj në kulturën e qytetit tonë, ndonëse e shkurtër, la gjurmë, me paraqitjen e saj në koncertin e 28 Nëntorit 1967 organizuar nga Shoqëria Kulturore-Artistike “Kastriotët”, si dhe paraqitjet me koncerte në Shtime e Kaçanik. Ajo është bashkëshortja e drejtorit reformator të shkollës “Gjon Serreçi”, Sabri Berisha, gjersa angazhimet profesionale e obligimet familjare, e bën më të paktët, angazhimin e saj në aktivitetet kulturore ferizajase, për të mbetur nga të parat e të nderuarat artiste ferizajase, që me kontributin e saj në arsim dhe kulturë, vlerat familjare e njerëzore, e bëjnë personalitetin e saj nga më të veçantët, mes nesh.