Janë vëllezërit Rysha, Ibushi, Bajrami, Isa, Hazizi nga Varoshi i Ferizajt që tash e tri dekada, më 1992, nisën punë ndërtimore me eskavatorin për të hedhur themelet e një gjigandi çfarë është sot kjo kompani. Me punë nisur që para luftës më 1999, kur shtruan rrugën e parë me asfalt në lagjen Burimi të Zaskokut, punën deri më 2007 me kontraktime nga KFOR-i, institucionet e Kosovës dhe organizata të ndryshme të huaja, depërtimi me punë edhe në Maqedoni tê Veriut nga viti 2011, të qenurit kompania e parë private e prodhimit dhe shtrimit të asfaltit, punët madhore infrastrukturore të kryera nga kjo kompani si ndërtimi i segmentit të autostradës Prishtinë-Gjilan, rruga Prevallë-Prizren, rruga qarkore e Gjilanit, Mitrovicës, Prizrenit, zgjerimi i pistës së Aeroportit, ndërtimi i rrethrrotullimit në hyrje të Prishtinës tek Albi Mall, rehabilitimi i rrugës Kumanovë-Krivapallanka, rehabilitimi i rrugës Kumanovë-Shën Nikollë dhe rehabilitimi i deponive të egra në gjithë Maqedoninë e Veriut janë vetëm disa nga punët madhore të kësaj kompanie, pa lënë anash edhe kryeveprat infrastrukturore që ndërtuan në Ferizaj si nënkalimet në Varosh dhe tek Plus Marketi, që i dhanë standard të ri infrastrukturor gjithë vendit.
Më 1992 kjo kompani e familjes Rysha nisi me 7 punëtorë, gjersa aktualisht, me gjithë bizneset në pronësi e menaxhim të familjes Rysha, kalon numrin prej mbi 500 punëtorë, pa harruar të vëmë në spikamë shpirtin humanitar të dëshmuar me ndërtim të shtëpive për familjet në nevojë, ndihmë financiare për të sëmurët, e nga më të veçantat, asfaltimi falas i platos dhe rrugës ku gjendet kooperativa bujqësore “Krusha”, ku gratë e veja lufta e fundit, shesin produktet e tyre bujqësore, përmes së cilave mbajnë familjet e tyre, e të tjera gjeste solidariteti që flasin për vlerën e tyre, vlerë e çmuar ndër ferizajasit.