Baca Tahir në rininë e hershme të tij derdhi djersë për të mbajtur familjen e tij, duke punuar edhe punëtor krahu, murator, suvatues, transportues zhavori në Gjevgjeli deri më 1973, kur më pas nisi privatisht të bëj prodhimin e bllokave të betonit me cilësi të lartë çka rrodhi shprehja e njohur nga ferizajasit se “me bllokat e Tahirit s’ka”, çka dëshmon korrektësinë, dijen e guximin ndërmarrës për të prodhuar materiale ndërtimi, në kohën kur shteti kishte këtë monopol.
Veprimtarinë e tij biznesore, baca Tahir e vazhdon me hapjen e mishtores dhe dyqanit ushqimor “Liria” më 1988, gjersa në vitin 1990 hapi ndërmarrjen tregtare shërbyese “Fitorja” si një ndër kompanitë e para në Ferizaj me 35 punëtorë në fillimet e ndërmarrjes.
Fisnikërinë e tij, shpirtin solidar, humanizmin si ndër të rrallët mes nesh, baca Tahir e shprehu edhe me financimin e arsimit shqip në shtëpitë-shkolla më 1990-’99 si në shkollat e mesme, gjimnaze, institucione të kultit fetar, e padyshim edhe me kontributin e tij të jashtëzakonshëm në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me veshmbathje e mjete financiare deri në përfundimin e luftës, vlera këto humane të trashëguara edhe tek familjarët e tij, të cilët kurdoherë ishin gati të ndihmonin nisma solidariteti e aksione ndihme.
Që nga viti 1999, kompania “Fitorja” ka zgjeruar veprimtarinë biznesore duke bërë shitjen e materialit ndërtimor, metalurgjisë së zezë, pikave të karburanteve, qendrës së kontrollit teknik, shërbimet gastronomike, deponitë e naftës dhe gazit, terminaleve doganore në Ferizaj dhe Prizren, ndërtimi i objekteve të banimit kolektiv në Ferizaj, Prishtinë, Gjilan, Shtime, Brezovicë, puna në autostadën “Ibrahim Rugova”, blerja e kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”, blerja e makinerive dhe kampit të kompanisë “BechtelEnka” ku sot gjejnë strehim refugjatët afganë e vlera të tjera njerëzore, biznesore e qytetare që përthekojnë personalitetin e ferizajasit shembullor, Tahir Maloku.