Rrugët e hapësirat, kilometrike e të gjera kudo në Ferizaj, nuk do ta kishin pamjen e bukur, mirëpritëse e të pastër pa përkushtimin, punën e palodhshme e djersën e derdhur nga punonjësit e Kompanisë “Pastërtia”, të cilët nisin punën herët në mëngjes, për të vijuar gjatë gjithë ditës, në disa orare gjatë ditës për largimin e mbeturinave kudo në qytet e fshatrat e Ferizajt.
E mbështetja ndaj këtij grupi punonjësish, nuk ka munguar asnjëherë nga Kryetari i Komunës, Agim Aliu. Ai edhe në vizitat zyrtare në këtë Kompani, edhe në takimet e rastit me drejtues e punonjës të kësaj kompanie, i ka ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme për të përmirësuar kushtet e tyre të punës dhe mirëqenien e tyre.
Janë të shumta arsyet që secili ferizajas duhet të ketë dhe ka respektin për mirëmbajtësit e qytetit. Komuna e Ferizajt, ndonëse njëra nga aksionaret e kësaj kompanie regjionale, ka dhënë dhe po jep vazhdueshëm përkrahjen e saj në adresimin e nevojave të kompanisë dhe punëtorëve, qoftë përmes Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë apo nga vet i pari i Ferizajt, Agim Aliu.
Puna dhe djersa e tyre ka vlerësimet më të larta të udhëheqjes komunale, për të cilën shprehim falënderim publik në emër të Komunës së Ferizajt, përkatësisht Kryetarit të Komunës, Agim Aliu.