Rreth 9 kompani private, FSK, policia, brigada e zjarrfikësve në Ferizaj, përfaqësues të kompanisë së ujit “Bifurkacioni”, drejtues të kompanisë “Pastërtia” si dhe drejtues të Drejtorisë Komunale të Emergjencës janë mbledhur së bashku për të diskutuar rreth gjetjes së alternativave të shumta për pastrimin e rrugëve nga bora.
Sipas drejtorit të Drejtorisë së Emergjencës, Ibrahim Hyseni, në këtë takim është diskutuar rreth situatës e cila po mbretëron në vendin tonë pas të reshurave të vazhdueshme atmosferike, në mënyrë që të gjithë së bashku të kontribuojnë në pastrimin e rrugëve nga bora. “Nuk është për momentin gjendje e jashtëzakonshme edhe pse gjendja është e rëndë, për arsye se disa rrugë në disa fshatra janë të pakalueshme për shkak të oreteqeve të borës, mirëpo ne nuk e kemi shpallur si gjendje të jashtëzakonshme, do të shohim tash se si do të funksionoj takimi i ditës së sotme”, ka thënë Hyseni.
Nëntë kompanitë private në këtë takim kanë ofruar mbështetje në mënyrë vullnetare për pastrimin e rrugëve.
Raportohet se gjendja më e vështirë është në fshatrat mbi magjistrale si Sazli, Mirashë, Rahovicë dhe disa fshatra të tjera që kanë ndikim më të madh të erës, për momentin vetëm Burrniku ka mbetur i bllokuar.
Nëntë kompani private, Forca e Sigurisë së Kosovës si dhe kompania ‘Pastërtia” kanë marrë për obligim që të bëjnë pastrimin e rrugëve nga bora si në fshatra po ashtu edhe në qytet.