Në mesditën e sotme Komunën e Ferizajt, e vizitoi kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, me Ministrin e Punëve të Brendshme Bajram Rexhepin dhe Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës Agim Çekun.
Pas takimit disa minutash kryeministrit Thaçi ka falënderuar kryetarin Bajrush Xhemailin, por edhe qytetarët e Ferizajt, për kontributin e dhënë në pastrimin e borës. “Ishte edhe konfirmim i zotit Xhemaili se situatë është nën kontrolle dhe e menaxhushme. Të gjitha rrugët janë të kalueshme furnizimi me energji është stabil, gjithashtu edhe me ujë” ka thënë Thaçi, ndërsa ka shtuar se ndihma e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk do të mungojë. “Ne do t’i përgjigjemi si Qeveri e Kosovë, çdo kërkesë që do të vijë nga autoritete komunale në rast se ka ndonjë nevojë të re, pra do të kemi një bashkëpunim të ngushtë për hapa të mëtutjeshëm. Shpresojmë në shkrirjen e borës në mënyrë që mos të ketë edhe pasoja nga ndonjë vërshim eventual, pra do të koordinojmë dhe do të punojmë bashkërisht si në të gjitha Komunat e Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Nga ana tjetër kryetari i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemaili, ka theksuar se shefin e Qeverisë së Kosovës e ka njoftuar në mënyrë detaje rreth situatës e cila është në Komunën e Ferizajt. “Patëm një bisedë të shtruar më të lidhur me rrethanat që gjendet për shkak të motit të ligë edhe në Ferizaj, si çdo kund tjetër në Kosovë. E informova se në Ferizaj, situatë e kemi nën kontrolle dhe jemi mundu që të depërtojmë tek çdo fshat dhe çdo familje”, ka thënë Xhemaili, ndërsa ka shtuar se ka mbetur vetëm një kiometër e gjysmë rrugë për të arritur edhe tek banorët e fshatit Burrnik.
Kjo vizitë e kryeministrit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi u bë në kuadër të vizitave që po bënë të gjitha komunave të Kosovës.
Temë e bisedës ishte situatë e vështirësuar pas reshjeve të borës.