Më këtë rast ushtruesi i detyrës së kryetarit të Komunës së Ferizajt, Besim Zymberi ka theksuar faktin se vënia e gurthemelit për Qendrën e Kompetencës ka një rëndësi shumë të madhe për faktin se është njëra ndër qendrat më të veçanta në Republikën e Kosovës. “Natyrisht se sot ishte një ditë e veçantë për Komunën e Ferizajt, por edhe për tërë Kosovën për shkak se na erdhi një dhuratë e bukur nga qytetarët e Luksemburgut nëpërmjet Qeverisë së Luksemburgut. Sot inauguruam fillimin e punimeve në një formë të re të shkollës që nuk jemi mësuar ta shohim këtu në regjionin tonë, kur them se është një ditë e veçantë jo për faktin që po fillohet një godinë shkollore, por po fillohet me një koncept të ri shkollor. Nëse deri më tani shkollat tona kanë prodhuar më shumë dije se mjeshtëri të punës, nëpërmjet shkollimit, pikërisht kjo mënyrë e shkollimit që do të zbatohet në këtë shkollë do të mundësojë që të matrealizohet nëpërmjet arsimimit të të rinjve tanë për tregun e punës, jo vetëm në nivel të regjionit, por edhe në nivel të Evropës”, ka thënë ushtruesi i detyrës së kryetarit të Komunës së Ferizajt, Besim Zymberi.
Ndër të tjera Zymberi ka shtuar se tashmë ka filluar edhe përgatitja e duhura përmbajtwsore në mënyrë që sapo të përfundohet objekti të jetë i gatshëm edhe për punën konkrete, që besohet se do të ketë rezultat.
Nga ana tjetër ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Ramë Buja, ka thënë se këtë ditë qyteti i Ferizajt, ka festë për shkak të asaj se po fillon ndërtimi i një shkolle elitare, shkollë profesionale. “Ka 8 drejtime shëndetësore dhe do të ketë një rëndësi të veçantë në emancipimin e kësaj popullate të të rinjve të Ferizajt”, ka thënë ministri Buja, duke shtuar se kjo shkollë do të jetë model për të gjitha shkollat të tjera në Republikën e Kosovës.”Është një investim shumë serioz bashkëfinancim i Qeverisë së Luksemburgut dhe Ministrisë së Arsimit, besoj se do të realizohet në kohë optimale”, ka thënë Buja.
Tash për tash mbetet që të sigurohet edhe stafi pedagogjik ku ministri Buja ka thënë se kjo gjë do të bëhet pa problem, ndërsa ka shtuar se Qendra e Kompetencës do të ndërtohet me të gjithë laboratorët e saj dhe do të pajiset me të gjitha gjërat e nevojshme për të realizuar punën praktike të gjithë nxënësit. Nga Qendra e Kompetencës do të dalin kuadro të dijës për shëndetësi.
Ndërsa ministrja për Zhvillim e Luksemburgut Marie Jose Jachobs, ka thënë se kjo Qendër do të jetë me e veçanta në tërë Republikën e Kosovës.
U bë e ditur se Qendra e Kompetencës e cila po ndërtohet në Ferizaj, do të kushtoje mbi 4 milion euro.
Të pranishëm në vënien e gurthemelit ishin struktura udhëheqëse të Qeverisë së Luksemburgut, drejtues të Ministrisë së Arsimit si dhe udhëheqës të Komunës së Ferizajt.