
Për më tepër mësohet se është duke u punuar edhe me projektet rrugore, për disa thuhet se janë kryer procedurat, si për rrugën e lagjes së Qiraxhinjve, Fshatit të Vjetër dhe dia rrugëve tjera, ndërsa deri në fund të javës do të përfundojnë edhe për rrugët që bashkëfinansohen me komunitetin, si rruga e fshatit Bublicë, Lloshkobare, lagjeve Spahiaj dhe Karametaj të Gremes dhe për dhjetra rrugë të qytetit.
"Përveç projekteve që drejtpërdrejtë kanë të bëjnë me infrastrukturën, janë kryer apo janë në përfundim e sipër edhe procedurat për projektet e objekteve, si ai i Qendrës së Zjarrfikësve, shkollës fillore ‘Mis Sokoli’ në Slivovë, ndërsa do të fillojnë procedurat për realizimin e projektit të Qendrës Emergjente të Mjekësisë Familjare" ka thënë Ferizi.
Zyrtarët thanë se për investime kapitale komuna ka ndarë fonde në vlerë prej 6.3 milion euro. Sipas tyre, këtë vit vlera e investimeve që do të bëhen në Ferizaj, kalon shumën prej 10 milion, pasi shumë projekte do të financohen nga donatorët e huaj dhe të brendshëm.
"Këtë vit Ministria e Zhvillimit do të investojë në rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit në vlerë prej 730 mijë euro, bashkë me qeverinë zvicerane, e cila për projekte dyvjeçare të kësaj natyre do të investojë afërsisht 5 milion franga, ministria e Infrastrukturës në projektin e asfaltimit të rrugës Slivovë-Dremjak, rrugës ‘Epopeja e Jezercit’ nga rruga’Arsim Bega’ deri te Ura e Islamit, pastaj CARITAS-i, 320 mijë euro në Mirash, si dhe Qendrën Ekselente në vlerë prej 2 milion euro" ka thënë Ferizi.
Ndryshe, mësohet se këtë vit në Ferizaj me fonde të BE-së, Komisioni Evropian do të finansojë projektin e rregullimit të Bifurkacionit, me ç’rast ka ndarë 390 mijë euro, ndërsa komuna merr pjesë në këtë projekt me një hise prej 40 mijë euro. Projekti më madhor i KE-së në Ferizaj konsiderohet të jetë ai për rregullimin e një stadiumi modern të futbollit, për të cilin komuna tashmë ka ndarë lokacionin për ndërtimin e tij.
Gjatë këtij viti në komunën e Ferizajt do të realizohen 75 projekte kapitale infrastrukturoret, shumë prej tyre, sidomos projektet e kanalizimit, tashmë i kanë përfunduar procedurat e tenderimit dhe ndodhen në fazën e vlerësimit, që nënkupton se këto projekte do të përfundojnë sipas afateve të parapara me kontrata.