
Për dallim nga vitet e kaluara këtë vit matura shtetërorë do të mbahet dy ditë dhe atë me 9 dhe 23 qershor. Sipas drejtorit të arsimit në Ferizaj, Agim Berishës kësaj radhe maturantët do të kenë mundësi që të tregojnë rezultat të kënaqshme për shkak se testi përmban pyetje të tipit të mbyllur, me zgjidhje të shumëfishta me katër alternativa, nga të cilat njëra është e saktë.” Dita e parë do ti ketë 120 pyetje nga lëndët e përgjithshme si gjuhë amtare, gjuhë angleze dhe matematikë, ndërsa dita e dytë do të përmbajë 80 pyetje nga lëndët e profileve përkatëse arsimore”, ka shpjeguar Berisha.
Faza e dytë e testit kombëtar të maturës do të mbahet edhe me 31 gusht dhe me 8 shtator, ku të gjithë maturantë do të ndjekin të gjitha procedurat e njëjta si në afatin e parë. Është bërë e ditur se në ditën e provimit, maturantët duhet të jenë të pranishëm në Qendrën e testimit, një orë e gjysmë para fillimit të testit, me vete duhet të këtë letërnjoftimin, të hyjë brenda në kohën e caktuar pas apelit të personit të autorizuar, të ulen sipas udhëzimeve të administruesit , të kenë me vete një laps grafik, të kenë me vete një shishe me ujë të pijës, të plotësojnë me kujdes të gjitha të dhënat në fletëpërgjigjet.
Maturantëve nuk u lejohet që të vonohet në provim, të kenë celular apo ndonjë mjet tjetër për komunikim gjatë testimit, të ndërrojnë vendin pa leje nga administruesi, të kopjojnë në asnjë lloj forme, të pëshpëritin apo të komunikojnë me të tjerët, të dëmtojnë fletëpërgjigjen, apo broshurën e testit si dhe të pengojnë të tjerët gjatë kohës së testimit.
U bë e ditur se publikimi i rezultateve do të bëhet me 30 qershor.
Edhe maturantët e komunës së Ferizajt më 9 dhe 23 qershor do të përballen me një sfidë drejt shkollimit të tyre universitar, duke iu nënshtruar testit kombëtar të maturës.