I nderuari Ushtrues detyre i Kryetarit të Komunës z. Zymberi, i nderuar zv. Kryesues i Kuvendit të Komunës z. Hasani, të nderuar anëtarë të Kuvendit të Komunës,. Më lejoni që në emër të Kryesuesit të deritashëm të Kuvendit të Komunës tu drejtohem me pak fjalë duke ju njoftuar lidhur me vendimin tim të fundit për të dhënë dorëheqje nga pozita e Kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Ferizajt.
Për shkak të përzgjedhjes sime si Kryetar i Komunës së Ferizajt me rastin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të mbajtura më 29 prill dhe nga rezultatet e balotazhit të datës 27 maj, obligohem, anëtarë shumë të nderuar të Kuvendit të Komunës, që të ofroj dorëheqjen time nga pozita e Kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Ferizajt dhe nga Kuvendi i Komunës si anëtar i tij. Gjithsesi në detyrën e re të kryetarit të komunës më presin sfida e angazhime të reja dhe do të vazhdoj me gjithë potencialin tim që edhe nga kjo pozitë të bëhem pjesë e ndryshimeve të rëndësishme në komunën tonë e më gjerë, por para se të ndodh kjo dua që nga zemra t’ju falënderoj juve, gjithë anëtarëve të kuvendit të komunës së pari për përkrahjen tuaj të fuqishme për mua, duke filluar që nga zgjedhja ime, për kontributin, angazhimin e deritanishëm, bashkëpunimin që më keni ofruar anëtarë të të gjitha subjekteve pa përjashtim. Ky bashkëpunim ka rezultuar me suksese, vendime të rëndësishme për komunën tonë, me debat, herë të butë e herë më të ashpër, por gjithmonë në të mirë dhe në emër të qytetarëve që na kanë votuar dhe na e kanë dhënë besimin që të flasim në emër të tyre. Ky bashkëpunim, kjo përvojë e gjatë me ju do të më shërbejë edhe në detyrën e re. Edhe detyra e re më obligon që të jem pranë jush dhe bashkë me ju të realizojmë pritjet e qytetarëve karshi nesh, të marrim vendime të arsyeshme, të drejta dhe në interes të së mirës së përgjithshme.
Prandaj, nuk më mbetet tjetër, që përveç falënderimit dhe konsideratave të larta për ju, t’ju ftoj vazhdim të bashkëpunimit dhe kontributit tuaj edhe në të ardhmen.
Sinqerisht,
Agim Aliu ,
Faleminderit!
Për shkak të përzgjedhjes sime si Kryetar i Komunës së Ferizajt me rastin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të mbajtura më 29 prill dhe nga rezultatet e balotazhit të datës 27 maj, obligohem, anëtarë shumë të nderuar të Kuvendit të Komunës, që të ofroj dorëheqjen time nga pozita e Kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Ferizajt dhe nga Kuvendi i Komunës si anëtar i tij.