Këtë e kanë konfirmuar edhe drejtues të njësisë për zhvillim ekonomik, duke thënë se tashmë kjo kompani është duke hartuar projektin, i cili më pastaj do tu prezantohet autoriteteve komunale për t’i dhënë dritën jeshile. Kryesuesi i njësisë për zhvillim ekonomik të Ferizajt, Mustafë Grainca, ka thënë, se kjo nismë ka gjasa të mira të realizohet ngase kompania tashmë veçse ka filluar me projektin, i cili mendohet që është i pari i kësaj natyre në krejt rajonin. Grainca ka shpjeguar se për këtë projekt komuna është zotuar që të siguroj lokacionin ku do të vendosen depozitat e gasit dhe stabilimentet prej ku edhe do të shpërndahet ai."Ne jemi të obliguar të sigurojmë vendin se ku do të vendosen stabilimentet e fabrikës së gasit, por si obligim e kemi edhe matjen e opinionit të qytetarëve për këtë projekt, përmes sondazheve, për të vërtetuar se sa qytetarët kanë interesim për këtë projekt", ka thënë Grainca.
Ky projekt që është inicuar përmes përfaqësuesit të Odës Ekonomike Italiane për Ballkan, synon që fillimisht të shtrihet vetëm në pjesën urbane të qytetit dhe varësisht prej interesimit edhe në pjesët tjera të komunës.
"Ky projekt ka ardhur si rezultat i kontakteve me një shqiptar të Italisë, që përfaqëson OEI për Ballkan. Ky projekt e ka koston e lartë, mendohet se investimet do të shkojnë deri në 15 milion euro" ka shpjeguar Grainca.
Këtë nismë, zyrtarët e kanë vlerësuar lart ,duke thënë se ky investim ka një rëndësi të madhe për banorët e rajonit të Ferizajt. Ata ndër të tjera thonë se gasi është shumë më ekonomik dhe më i lirë se sa energjia elektrike, duke mos fshehur faktin se në këtë projekt pritet të punësohen edhe mbi 200 punëtorë të këtushëm.
"Në shumë shtete të Evropës kostoja e përdorimit të gasit është më e lirë se sa e energjisë elektrike dhe kjo tregon arsyeshmërinë e këtij projekti. Tjetër është edhe mundësia që me këtë projekt të zënë vende punë rreth 250 punëtorë lokal" ka thënë, Mustafë Grainca, kryetar i njësisë për zhvillim ekonomik të Ferizajt.
Rrjedha e këtij projekti do të dihet pas një kohë, kur ekspert të kësaj kompanie do ta sjellin dhe ta prezantojnë projektin, ndërsa komuna tashmë veç ka ndarë hapësirën se ku do të vendosen pajisjet.
Ditë më parë një kompani italiane ka shfaqur interesimin që në Ferizaj të fillojë së implementuari një projekt për shtrirjen e rrjetit të gasit natyror në pjesën urbane të qytetit.