Drejtoria komunale e Arsimit bëri publike rezultatet e testit të arritshmërisë
11/07/2012 00:00
Drejtoria Komunale e Arsimit në Ferizaj, ka shpallur rezultatet e testit të arritshmërisë për nxënësit e klasave të nënta të mbajtur me 3 korrik të këtij viti, sipas të cilave arritshmëria është 52.28 përqind. Sipas drejtorit të Arsimit Agim Berishës këtij testi i janë nënshtruar 2086 nxënës të klasave të nënta. “Rezultate janë përafërsisht të njëjta si vitin e kaluar me një ngritje modeste që është në kuadër të suazave të normales. Megjithatë vendin e parë edhe këtë vit e ka ruajtur shkolla fillore “Ismajl Qemajli” me 71.65 përqind, vendi i dytë i takon shkollës “Liman Rekaj” me 62.94, ndërsa vendi i tretë ka një përqindje përafërsisht të njëjtë shkolla fillore “Ramdan Rexhepi” dhe ajo “Ali Hadri”, ka thënën drejtori Berisha. Qëllimi i testit të arritshmërisë është të vlerësohet niveli i arritjeve të njohurive të nxënësve me përfundimin e shkollës së Mesme të Ulët dhe orientimi i tyre për regjistrim në shkollimin e mëtutjeshëm. Varësisht nga rezultat e dëshmuara në test dhe notave nga vlerësimi i brendshëm në shkollë, nxënësit do të regjistrohen në drejtimet e preferuara duke respektuar edhe kriteret e konkursit përkatës. Testi ka përmbajtur gjithsej 100 pyetje të përgatitura nga Njësia për Standarde, Monitorim dhe Vlerësim – MAShT.
Arritshëmria e nxënësve të klasave të nënta është 52.28 përqind.