Kuvendi i Komunës së Ferizajt, këtë të premte ka mbajtur mbledhjen e radhës ku pika të veçantë është trajtuar edhe ecuria financiare për periudhën janar-qershor 2012. Në këtë mbledhje drejtori i Drejtorisë së Ekonomisë, Financave dhe Buxhetit Mustafë Grainca, ka theksuar se raportimi në fjalë behët duku u bazuar në Ligjin mbi Vetëqeverisjen Lokale, Ligjin mbi Financat Lokale si dhe Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë . Drejtori Grainca shpalosi para anëtarëve të kuvendit raportin mbi ecurit financiare të organizatës sonë buxhetore (656) për periudhën janar-qershor 2012 përfshirë të hyrat vetanake të realizuara si dhe shpenzimet buxhetore për të gjitha kategoritë ekonomike.” Gjatë periudhës janar-qershor 2012 u inkasuan gjithsejtë të hyra vetanake në vlerë 1 873 646.46 € përfshirë këtu edhe të hyrat nga participimet e qytetarëve për projekte kapitale si dhe grantet tjera të donatorëve të jashtëm, ndërsa shuma e vlerës së realizuar pa përfshirë të hyrat nga donatorët të brendshëm dhe të jashtëm është 1 468 521.53 € e cila vlerë po të vihet në krahasim me vitin 2011 rezulton me ngritje 8.40% , ndërsa krahasuar me planin kemi realizim të tij për 83.92%, duke patur për bazë gjithnjë planin e rishikuar të të hyrave në procesin e rishikimit të buxhetit, për vlerën 400 000 €. Padyshim se vlera e inkasuar dëshmon performancën e mirë të organizatës sonë buxhetore në fushën e inkasimit të të hyrave vetanake, duke patur parasysh gjithnjë edhe ngecjet e shfaqura në disa lloje të të hyrave, të cilat padyshim se në gjashtëmujorin e dytë të fitit fiskal 2012 do të lypsin angazhime shtesë mbi bazën e politikave të reja inkasuese”, ka thënë drejtori Grainca, duku dhënë edhe detaje rreth shpenzimeve për këtë periudhë.” Periudha janar-qershor 2012 karakterizohet me një vlerë jo të kënaqshme të shpenzimeve buxhetore, pra deri më 30.06.2012 buxheti i vitit 2012 është shpenzuar në vlerën 6 576 008.26€ apo 33.17% , në të gjitha programet dhe kategoritë buxhetore duke përfshir vetëm fondin burimor 10 dhe 21 si dy burime të bërjes së buxhetit. Ndërsa përfshirë në totalin e shpenzuar edhe mjetet e bartura nga viti fiskal 2011 si dhe të hyrat nga donatorët kemi totalin e shpenzuar në vlerën prej 7 396 736.41€ “, është shprehur Grainca.
Kuvendi komunal i Ferizajt, në këtë senace të rregullt ka miratuar edhe rregulloren për të hyrat vetanake, në bazë të së cilës bizneset ferizajase do të lirohen nga taksa komunale, një veprim që është parë si stimulim për investime nga sektori privat. U bë e ditur se të drejtën për heqjen e taksës e kanë të gjitha bizneset aktive, të cilat më parë duhet t’i shlyejnë borgjet ndaj komunës të mbetura nga vitet e kaluara. Drejtori për Ekonomi, Financa dhe Buxhet, Mustafë Grainca, në arsyetimin e këtij vendimi ka thënë se taksat do të hiqen nga ky vit, ndërsa më parë nga ky lloj i tatimit kanë qenë të larguara të gjitha bizneset prodhuese."Kjo po bëhet me qëllim të stimulimit të investimeve në komunën e Ferizajt, dhe kjo padyshim përbën lehtësim për bizneset" ka thënë Grainca.
Këtë vendim të Kuvendit e kanë përkrahur si pozita ashtu edhe përfaqësuesit e partive opozitare duke thënë se me këtë vendim komuna po bënë atë që u është premtuar bizneseve. Kemajl Ramadani nga AAK-ja, ka kërkuar t’i dihet kostoja e këtij vendimi, ndërsa Sahit Krasniqi nga LDD-ja ka thënë se duhet t’u iket dualizmave kur është në pyejtje zbatimi i këtij vendimi."Shlyerja e borgjeve duhet të bëhet përmes gjykatës, e jo siç është thënë në rregullore se lirohën nga taksat bizneset nga data e shlyerjes së borgjeve, pa specifikuar asnjë datë se deri kur duhet të bëhet kjo.Juridikisht nuk qëndron kjo " ka thënë Krasniqi.
Kuvendi komunal i Ferizajt ka marr vendim që në diskutim publik të dalin edhe dy rregullore ajo për përcaktimin e kritereve për ndarjen e banesave solidare në komunën e Ferizajt si dhe rregullorja për bashkëpunimin e komunës me fshatrat, vendbanimet dhe zona urbane. Kuvendi me shumicë votash mori vendim që të kompensohen materialisht me nga 350 euro katër familje të dëshmorëve, bijtë dhe bijat e të cilave kanë rënë në luftërat çlirimtare jashtë Kosovës dhe nuk janë përfshirë në Ligjin për Dëshmorët e Luftës.
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Komunës së Ferizajt, janë diskutuar pika të shumta të rendit të ditës.