Me 28 vota për dhe 8 kundër, këtë të enjte është miratuar buxheti i komunës së Ferizajt për vitin 2013. Para asambleistëve kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka prezantuar këtë buxhet duku theksuar se ky është njëri ndër projektet më të rëndësishme të jetës institucionale. “Projektin përmes të cilit ne do të ngrisim trendin e zhvillimit ekonomik në funksion të mirëqenies qytetare, pra, prezantoj “ projekt buxhetin për vitin fiskal 2013 si dhe vlerësimet e hershme buxhetore për vitin 2014 dhe 2015. Procesin për hartimin e projekt buxhetit për vitin fiskal 2013 dhe vlerësimet hershme buxhetore 2014/2015, e zhvilluam kryesisht duke u mbështetur në instruksionet buxhetore të shkoqitura në qarkoret buxhetore 2013/01 dhe 2013/02, si dhe në dokumentin strategjik të miratuar në Kuvendin e Komunës, Kornizën Afatmesme Buxhetore 2013-2015. Pjesë e pandarë e këtij procesi ishin qytetarët e komunës sonë të cilët kontribuan në përmbylljen efikase të tij, me ç’rast dua t’i falënderoj përzemërsisht për këtë kontribut të dhënë”, ka thënë kryetari Aliu.
Projekt buxheti për vitin fiskal 2013 ka vlerën buxhetore prej 20 750 262 €, e financuar nga granti qeveritar me pjesëmarrje prej 82.53% si dhe nga të hyrat vetanake në kuotën pjesëmarrëse prej 17.47%. ”Totali buxhetor për vitin 2013, tejkaloi vlerën buxhetore të vitit fiskal 2012 për 4.14%, duke krijuar kështu mundësin e ngritjes së vlerës së kategorisë së investimeve kapitale, e cila në këtë projekt buxhet, tejkaloi vlerën mbi 7 milion euro si dhe vitin 2012 për 10.98%, dhe çdo ngritje e kësaj kategorie buxhetore do të rezultojë me ngritjen e standardit jetësor të qytetarëve tanë i cili ishte dhe do të mbetet misioni ynë institucional”, është shprehur Aliu, duku propozuar para anëtarëve të Kuvendit të Komunës, projekt buxhetin e vitit 2013.
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka theksuar se projekt buxheti 2013 përpos ngritjes buxhetore krahasuar me vitin 2012, karakterizohet edhe me zvogëlimin e kategorisë “Mallra dhe shërbime” për 5.03%, duke patur në fokus kryesisht zvogëlimin e kategoritë së mallrave për të krijuar mundësinë e ngritjes së mjeteve në lëmin e shërbimeve, gjithashtu propozuam ngritjen e vlerës buxhetore për kategorinë e subvencioneve, në kuadër të të cilës për 80% rritëm subvencionet në programin e bujqësisë, si dhe 39.4% në atë të kulturës, rinisë e sportit.”Kategoria e shpenzimeve komunale shënoi ngritje për 14.95%. Pjesë e pandarë e këtij projekt buxheti është edhe lista e projekteve kapitale për vitin fiskal 2013 si dhe parashikimet investimore për vitin 2014 dhe 2015. Projekt buxheti i vitit 2013 përmban 70 projekte kapitale përfshirë të gjitha lëmit infrastrukturore, dhe atë: 23 projekte të cilat përfshijnë asfaltim, ndërtime të trotuareve si dhe rregullimi i qendrës së qytetit, 9 projekte kanalizimi, 10 projekte në fushën e Arsimit, 3 projekte në atë të kulturës e sportit, 4 projekte në lëmin e shëndetësisë, si dhe 21 projekte tjera përfshirë fushën e urbanizmit, të shërbimeve publike, të pjesëmarrjes investuese me donator të jashtëm, të participimit me qytetarë e fusha të tjera”, ka thënë Aliu duku shtuar se me miratimin e këtij dokumenti përmbajtësor nga fillimi i vitit 2013 do të gjenerojë zhvillim ekonomik, mirëqenie e progres në të gjitha fushat e jetës për qytetarët, duke ndihmuar zhvillimin e bizneseve të cilat padyshim se do të ngrisin edhe nivelin e punësimit si pjesë e misionit tonë të përbashkët.
Nga ana tjetër anëtarët e Kuvendit të Komunës, kanë diskutuar gjatë për projekt buxhetin e viti 2013, ndërsa për vërejtjet e tyre janë përgjigjur të gjithë drejtorët e Drejtorive komunale të Ferizajt.
Po në këtë mbledhje me 21 vota për, 13 kundër dhe një abstenim është miratuar edhe rregullorja e tatimit në pronë për vitin 2013.
Në mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, deputet me shumicë votash kanë miratuar buxhetin për vitin 2013.