Në Ferizaj është zhvilluar ceremonia e përvitshme e homazheve dhe e përkujtimit të dëshmorëve të UÇK-së. Ferizajasit kanë marshuar drejt varrezave të dëshmorëve, aty ku prehen eshtrat e 62 dëshmorëve nga kjo anë, për t’u përkulur dhe nderuar gjakun e derdhur për liri. Paraprakisht ku lum i gjatë njerëzish, në ballë të të cilit ishin drejtues të pushtetit lokal, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, veteranë, invalidë të luftës e familjarë të dëshmorëve, janë përkulur para shtatoreve të komandantëve të shquar, Rexhep Bislimi e Naim Beka, ndërsa në lapidarin e dëshmorëve, kanë vendosur kurora me lule.
Në një akademi mbajtur në teatrin e qytetit, kryetari i Ferizajt Agim Aliu, ka përshkruar rrugëtimin për liri të brezave të tërë, për t’u ndalur tek plejada më e fundit e luftëtarëve, të cilëve u takoi barra të ndesheshin me pushtuesin gjakatar. Duke folur me pietet për të rënët, kryetari Aliu se 14 vjet më parë dikush mendoi se i vrau dhe i dëboi çlirimtarët, por gaboi sepse karvani i çlirimtarëve shtohej pambarim.
"Këtij karvani i shihej koka , por nuk i shihej fundi. Shiu i kuq kishte lagur kokat e mijëra djemve që kthenin sytë dhe këmbët si me magji, andej nga luftohej, aty ku vdisej për jetë" ka thënë Aliu, për të shtuar se 28 shtatori është vërtet datë që duhet kujtuar.
"Duke kujtuar dëshmorët, kujtohen gjurmët tona, ata që u bënë të përjetshëm, ata që na shpëtuan nga tjetërsimi, ata që na e mundësuan lirinë, drejtësinë, shpërblimin për punën dhe djersën" ka thënë Aliu. Duke folur për rrugën e vështirë dhe plot krajata për të arritur deri tek liria, Aliu ka nënvizuar dhe ka thënë se e gjatë ka qenë lista e vuajtjeve tona, por një ditë, falë gjakut të derdhur për liri dhe rrugës që ndriçuan dëshmorët, mundi dhe djersa po shpërblehen, sepse po punohet për ndërtimin e vendit tonë, me shkolla, çerdhe e ambulanca, po zgjerohen dhe asfaltohen rrugët tona.
"Po e bëjmë vendin tonë përditë e më të bukur, po ia dëshmojmë botës dhe vetes se jemi të aftë e punëtorë, po e dëshmojmë se drejtësinë nuk e duam vetëm për veten, por edhe për tjerët" ka nënvizuar Aliu.
Pjesëmarrësve në këtë akademi u janë drejtuar edhe kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nazmi Krasniqi dhe kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Gafurr Bytyqi, të cilët kanë përshkruar rrugën e gjatë që bënë luftëtarët e lirisë për të mbrojtur identitetin dhe qenien kombëtare dhe për të luftuar me armë në dorë kundër atyre që kishin ardhur për të robëruar një popull të tërë
Në këtë akademi përkujtimore është shfaqur edhe një program i larmishëm kulturor.
Ndryshe, 28 shtatori në Ferizaj shënohet si ditë e dëshmorëve, ditë kjo që lidhet me Epopenë e lavdishme të Jezercit. Në shpatet e këtij vendi malor, më 28 shtator 1998 ranë 9 dëshmorë të UÇK-së, Gursel e Bajram Sylejmani, Sejdi Sejdiu, Kemajl Hetemi, Bashkim Vishi, Salih Baliu, Nazim Terziu, Lulzim Guta, Arsim Zeqiri, rënia e të cilëve i dha vrull shtrirjes dhe rritës së UÇK-së në këtë zonë.
Nderim atyre që e derdhën gjakun për lirinë e Kosovës