Të nderuar bashkëqytetarë
Në prag të ditës e cila na bashkon të gjithëve rreth sofrës së bujarisë njerëzore, të përvijuar nëpërmjet porosisë së shenjtë hyjnore, ndjehemi të thirrur të jemi misionarë të dashurisë, barazisë, paqes e drejtësisë dhe të jemi të motivuar në flijimet për të mirën e përbashkët.
Mesazhi i Festës së Bajramit të Kurbanit, na jep ndjenjën fisnike të solidaritetit me të gjithë që përballen me vështirësi në jetë, të shtojmë respektin për dëshmorët e martirët, të ndjehemi më të detyruar ndaj plagëve të luftëtarëve e veprimtarëve. Kjo fesë, na vë para zotimit të shtuar se nuk do të rreshtim së punuari për ngritjen e mirëqenies sonë dhe për konsolidimin e mëtutjeshëm të synimeve tona kombëtare e qytetare.
Edhe në këtë ditë, ndjehemi të përgjegjshëm ndaj të kaluarës dhe shumë të motivuar drejt të ardhmes sonë. Na duket e nevojshme që të rithërrasim ndërgjegjen për një përkushtim të shtuar ndaj vlerave shpirtërore, në mënyrë që të ndjehemi të përplotësuar të gjithë në misionin e përbashkët human.
Po ashtu, më lejoni t’ju bëj thirrje të gjithëve që bashkërisht të rrisim angazhimet për një qytet e komunë edhe më të zhvilluar, përparuar e më të bukur në të ardhmen !
Të nderuar bashkëqytetarë, me bindjen dhe vullnetin që mesazhin e shenjtë hyjnor, ta kemi objektivin e përurimit të vlerave të lartpërmendura në të ardhmen, më lejoni t’ju uroj vëllazërisht festën e Kurban Bajramit, me besimin për harmoni e begati të shtuar në familjet tuaja!
Me respekt, Agim Aliu, Kryetar i Komunës
Aliu: Edhe në këtë ditë, ndjehemi të përgjegjshëm ndaj të kaluarës dhe shumë të motivuar drejt të ardhmes sonë. Na duket e nevojshme që të rithërrasim ndërgjegjen për një përkushtim të shtuar ndaj vlerave shpirtërore, në mënyrë që të ndjehemi të përplotësuar të gjithë në misionin e përbashkët human.