
Festivali i sivjetmë nuk ishte garues, i cili u mbajt për tre jubiletë: 100-vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar, të 45-vjetorit të AKV “Kastriotët” si dhe të 40-vjetorit të festivalit “Kosovarja këndon”, që u interpretua me moton “Festojmë bashkë”. Këtij manifestimi i ka paraprirë edhe një broshurë me një historik të AKV “Kastriotët” si dhe të “Kosovarja këndon” të Albulena Nuredinit, e cila ishte shpërndarë me atë rast, ku në shikim të parë të binin në sy fotot shumë të dobëta.
Mbrëmë në këtë palestër, në praninë e përfaqësuesve të ndryshëm politikë, kulturorë etj., të ftuar enkas u kënduan me dhjetëra këngë të ndryshme nga këngëtarë e këngëtare nga Kosova, Shqipëria, ish-Maqedonia, të përcjella me orkestrën e sipërthënë. Kënduan Shkodran Tolaj, Besianë Mehmeti, Linda Hakaj, Adelina Thaçi, Selami Kolonja, Irma Libohova etj., të cilët u përcollën me duartrokitje dhe me disiplinë nga publiku. Këngët e interpretuara lidheshin kryesisht me manifestimin në fjalë, duke nisur që nga “Ushton Gryka e Kaçanikut”, “Kënga e Flamurit”, baleti të rinjve dhe të reja etj. Pjesa e dytë e kësaj mbrëmjeje u shoqërua me AKV “Kastriotët”, të cilët ishin të përgatitur shumë mirë për këto tri jubile. Pos këngëve dhe valleve, ajo u plotësua edhe me pamje skenike të Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Hasan Prishtinës në aktin e flamurit, të përcjellë edhe me burra malësorësh në atë ceremoni.
Kjo mbrëmje është përcjellë drejtpërdrejt me Radio Televizionin e Kosovës dhe të Radio Televizionit “Tema” të Ferizajt.
Nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu do të mbahet spektakël i madhe për të shënuar 100 vjetorin e shtetit shqiptar, 45 vjetorin e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve ‘Kastriotët’ si dhe 40 vjetorin e Festivalit ‘Kosovarja këndon’.