Ky ansambël u formua në vitin 1967 nga një grup normalistësh entusiaztë, prej tij dolën emra të shquar të skenës sonë muzikore.
Njohës të rrjedhave të muzikës shqipe dhe udhëheqës të AKV "Kastriotet" kanë folur për etapat e zhvillimit dhe të rritës. Ronit Abdullahu, drejtor për Kulturë i Ferizajt ka thënë se "Kastriotët" kanë qenë dhe mbesin shenjë në vete identifikuese e qytetit të Ferizajt, pasi kanë ndërtuar një traditë të mirë të punës gjatë së kaluarës, duke qëndruar më lart se ansamblet simotra.
Kryetari i ansamblit, Xhevdet Shabani ka prezantuar një historik të shkurtër, ndërsa është përqendruar te objektivat për të ardhmen. Shabani ka thënë se nevojitet një mbështetje më e theksuar nga ana e institucioneve, për të pasur një aktivitet të ngjeshur dhe plot suksese edhe në të ardhmen. Ai ka pohuar se është përpiluar një dokument që do t’u dorëzohet autoriteteve, duke shpresuar në ndihmën e institucioneve.
"Ansambli ka 97 anëtarë aktivë në gjithë seksionet. Prej tyre 50 janë të moshës madhore dhe nuk janë të punësuar, ndonëse kanë përfunduar shkollat e larta dhe superiore. Profesionalizmi është më se i domosdoshëm, ashtu siç është i domosdoshëm edhe ripërtëritja e ansamblit" ka thënë Shabani.
Në këtë akademi Sami Piraj ka thënë se "Kastriotët" kanë kultivuar dhe shfaqur vlera të muzikës burimore shqiptare, duke qëndruar si duhet përballë antivlerave vërshuese dhe muzikës së sintetizuar, e cila ka degraduar me prurjet orientale e sllavo-greke, muzikën shqipe në këto hapësira.
"Është ansambli më i mirë në gjithë trevat shqiptare, kjo për shkak të pjesëmarrjes në shumë manifestime kombëtare, në shpalosjen e vlerave të padiskutueshme të traditës. Ku ka marrë pjesë ka dëshmuar shembull si duhet prodhuar vlera të njëmendta" ka thënë Piraj
Organizatori ka nderuar me mirënjohje gjithë ata që i kanë kontribuar rritës së ansamblit ndër vite, ndërsa valltarët kanë performuar valle shqiptare mbreslënëse, të cilat janë përcjell me duartrokitje.
Ansambli i Këngëve dhe Valleve "Kastriotët" nga Ferizaj ka shënuar të dielën 45 vjetorin e punës me një akademi, në të cilën është folur për rrugëtimin e këtij ansambli në prezantimin e vlerave të mirëfillta muzikore jo vetëm në Ferizaj e Kosovë por edhe jashtë.