Zyrtarët komunal kanë thënë se me këtë organizatë ndërkombëtare kanë një marrëveshje partneriteti 3 vjeçar që konsiston në realizimin e një numri projektesh kryesisht ambientaliste, gjelbërimin e hapësirave dhe rregullimin e hapësirave publike. Projekti "Korridoret e gjelbërta" do përfshijë pjesën prej qendrës së kulturës (ish objekti i TMK-së), për të vazhduar drejt kompleksit të shkollave të mesme, një pjesë të pallatit të sporteve dhe do të vazhdojë më tutje përgjatë rrjedhës së lumit Neredime.
" Ky projekt nuk parasheh ndërtimin e objekteve, por rregullimin e shtratit të lumit të degës së Bifurkacionit që kalon nëpër atë pjesë, rregullimin e shtigjeve për ecje, këndin e lojërave për fëmijë, kënde për pushim dhe ndriçimin publik" ka thënë Qazime Vata, drejtoreshë për Urbanizëm, Kadastër dhe Pronë.
Zyrtarët kanë thënë se krejt kjo zonë, do të ndërtohet me qëllim që qytetarëve t’u ofrohet një hapësirë e mirë gjelbërimi mjaft e gjerë, të cilën këtë mund ta shfrytëzojnë për sheti dhe pushim.
"Si koncept është trajtuar më gjerësisht, domethënë do të bëhet lidhja me Bifurkacioni dhe Parkun e Lirisë. Nga analizat që kemi bërë, ideja është që ky projekt të vazhdohet edhe në faza të mëvonshme, pavarësisht se a do të ketë donacione" ka thënë drejtoresha Vata.
Sipas saj, kjo zonë, në të cilën do të kryhen punimet, ka qenë një zonë e degraduar dhe e lënë pasdore, në një gjendje për keqardhje.
"Ky projekt ka rëndësinë e vet, sepse së pari është afër qendrës së qytetit. Pastaj në atë gjendje siç është e lënë pasdore, ajo do të degradohej edhe më tej. Kështu një intervenim brenda saj do të thotë edhe ndikimi pozitiv në vetëdijen e qytetarëve për të ruajtur atë pjesë dhe jo për ta degraduar më tej" ka thënë zyrtarja komunale për urbanizëm.
Mësohet se aktualisht ky projekt ka mbërri në fazën finale të hartimit të tij dhe brenda dy muajsh, projekti do të merr formën përfundimtare e më pas do t’i dërgohet donatorit në selinë e tij, në Najrobi, për aprovim dhe më pas do të hapen procedurat e realizmit të tij konkret.
Projekti i përbashkët i Komunës së Ferizajt dhe UN-Habitat-it, i njohur si "Korridoret e gjelbërta", që mendohet të realizohet gjatë këtij viti, do të rris hapësirat publike dhe ato gjelbëruese, në të cilat qytetarët do të mund të kalojnë kohën e lirë dhe të gjejnë prehje.