Zyrtarët komunal të Ferizajt kanë thënë se Kuvendi Komunal i Ferizajt ka miratuar një rregullore, e cila specifikon kriteret për ndarjen e këtyre banesave. Ndërsa para miratimit të saj, kanë shpjeguar se ishte zhvilluar edhe një debat me qytetarë, ku këta të fundit kishin dhënë vërejtjet dhe sugjerimet e tyre.
"Komuna e Ferizajt duke e parë gjendjen e vështirë të shumë familjeve dhe pamundësinë e tyre për të bërë zgjidhje të çështjes së banimit, pati planifikuar që për familje me gjendje të rëndë të krijojë një hapësirë të volitshme për banim, duke ua zgjidh njëherësh edhe problemin e tyre. Përfitues të këtyre banesave do të jenë familjet me gjendje të rëndë, si nga kategoritë sociale, ashtu edhe ata nga shoqatat e dala nga lufta dhe ish-burgosur politikë" ka thënë Drejtori i Administratës Komunale, Vesel Zhinipotoku.
Duke folur për kriteret që aplikuesit duhet t’i përmbushin për t’u bërë titullarë të banesave, drejtori Zhinipotoku ka thënë se kriteret janë vërtet rigoroze. Ai ka shpjeguar se tashmë për këtë qëllim është formuar edhe një komision nga Kuvendi i Ferizajt, i cili do të merret me aplikacionet si dhe do të bëjë vërtetimin e gjendjes reale të këtyre familjeve, për të parë se a meritojnë apo jo, të jenë përfitues të banesave.
Njëri nga kriteret e kësaj rregullore është edhe të qenit banor i Ferizajt që nga viti 1995, por edhe janë edhe një varg kriteresh tjera, të cilat qytetarët e interesuar mund t’i gjejnë të afishuara në tabelën e shpalljes në objektin komunal, në mjetet e informimit dhe në faqen zyrtare të Komunës së Ferizajt.
Drejtori Zhinipotoku ka deklaruar se shumë familje ferizajase nuk e kanë të zgjidhur problemin e banimit, por komuna po bën përpjekje për zbutjen e kësaj situate, duke shpresuar se projekte kësodore do të ketë edhe në të ardhmen.
Pritet që 52 familje ferizajase të zgjidhin problemin e banimit. Komuna e Ferizajt këtyre ditëve ka shpallur konkurs për dhënie në shfrytëzim për kohë të pacaktuar të banesave solidare, në dy objektet e dhëna me koncesion, një afër Drejtorisë Rajonale të PK-së dhe një tjetër në fillim të rrugës "Vëllezërit Gërvalla".