Ky dialogim i organizuar në Ditën Botërore të Ujërave, ka nxjerr në pah nevojën, që ndaj këtij resursi, shoqëria të ketë një qasje të drejtë, mu për faktin se jo vetëm rajoni i Ferizajt por edhe Kosova, ka probleme ne sigurimin e ujit të mjaftueshëm për popullatën. Minir Haxhimusa, shef i sektorit të ambientit në komunën e Ferizajt, në vija të trasha ka folur për rëndësinë e ujit, duke u ndalur tek aspektet që lidhen me mbrojtjen dhe eksploatimin e tij. Ai ka thënë se uji paraqet një problem global dhe se në këtë shekull që po jetojmë ky problem do të bëhet edhe më i theksuar mu nga fakti se dinamika e jetesës ka rritur shkallën e harxhimit të tij.
Në anën tjetër, drejtori i Drejtorisë për Planifikim dhe Zhvillim, Ardian Ferizi, ka thënë se komuna e Ferizajt, në kuadër të planit zhvillimor, një kujdes të shtuar i ka kushtuar sistemit të ujit dhe kanalizimeve. Ai, ka vënë në dukje se vetëm gjatë pesë viteve të fundit, janë instaluar 350 km rrjet të kanalizimeve dhe 100 km rrjet të ujësjellësit."Brenda vitit 2014 do ta përmbyllin ciklin investiv në ujë dhe kanalizime, ku veç zonës së qytetit, me rrjet të ujit dhe kanalizimeve do të behen edhe zonat rurale" ka thënë Ferizi, duke nënvizuar para të pranishmëve se komuna është duke bërë përpjekje edhe në jetësimin e projekteve të pastrimit të ujit dhe projekteve ambienatale që lidhen me resurset ujore."Kemi plane për ngritjen e një impianti për pastrimin e ujit, mbrojtjen e burimeve prej mbeturinave si dhe mbrojtjen e pellgut të lumit Lepenc që do ta bëjëm së bashku me Qeverinë e Kosovës dhe atë të Maqedonisë në kuadër të një strategjie të përbashkët" ka thënë Ferizi.
Për më tepër u tha se në komunën e Ferizajt, uji i pijes është i një cilësie të mirë dhe se përpjekjet po orientohen në drejtim të sigurimit të një uji me kualitet sa më të mirë. Doktoresha Minire Reçica, nga Instituti Rajonal i Shëndetit Publik, ka thënë se ekziston disproporcion në mes sasisë së ujit dhe kërkesës. Ajo ka sjellur shembuj që flasin për rrezikun e shfaqjes së sëmundjeve të ndryshme epidemike në mungesë të ujit."IRSHP-ja, rregullisht e kontrollin ujin e pijes dhe mund të thuhet se niveli i cilësisë së tij në komunën e Ferizajt është i mirë" ka thënë Reçica.
Në pjesën e debatit, nxënësit janë interesuar më shumë për aspektet që lidhen me ruajtjen e burimeve të ujit të pijes, ndërsa kanë përmendur edhe rolin e shkollës në rritjen e vetëdijesimit për mbrojtjen e resurseve natyrore.
Zylfie Hyseni nga kompania Rajonale për Ujë "Bifurkacioni" ka sjell hartën hidrografike të Ferizajt, duke thënë se aktualisht Ferizaj furnizohet me ujë të pijshëm nga katër burime dhe se sasia e ujit të pijes që përpunohet në Fabrikën e Ujit në Pleshinë, aktualisht është 210 l/sec, që ende mbetet e dëshirueshme për një furnizim të qëndrueshme.
Nxënës të shkollave të mesme të komunës së Ferizajt, kanë qenë pjesë e një debati të zhvilluar të premten, në fokus të së cilit ka qenë ruajtja dhe shfrytëzimi racional i resurseve ujore të Ferizajt.