Me këtë rast Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, fillimisht falënderoi ambasadoren Tracey Ann Jacobson për vizitën e bërë në komunën tonë, duke shprehur falënderimet e thella për ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të bërë popullit tonë në kohërat më të vështira, gjithashtu edhe për kontributin e madh që ka dhënë dhe po jep në fushën e ndërtimit të shtetit tonë në të gjitha fushat.
I pari i qytetit të Ferizajt, Agim Aliu, më pas e njoftoi ambasadoren për të arriturat e përgjithshme në komunën tonë, duke fokusuar trendin pozitiv që po shënon ajo në zhvillimin ekonomik, në të cilin trend pa dyshim kontribut të veçantë prej pas luftës ka dhënë kampi ushtarak “Bonstill” në të cilin u sistemuan mijëra të rinjë ferizajas përmes të cilës realizuan të ardhura dhe ndihmuan zhvillimin e komunës sonë.
Kryetari i Agim Aliu, njoftoi edhe për bashkëpunimin e mire me komunat fqinje, sidomos me komunë e Shtërpcës, ku me këtë rast e njoftoi ambasadoren se komuna jonë, tashmë ka nënshkruar edhe marrëveshje në shumë fusha me komunën e Shtërpcës, siç jemi edhe duke i bashkërenduar aktivitete për implementimin e projektit për zhvillimin e turizmit në regjionin lindje, ku komuna e Shtërpcës është komunë partnere.
Kryetari Aliu para ambasadores theksoi se komuna jonë, tashmë ka ndërtuar relacione të ngushta bashkëpunimin me organizatën amerikane USAID , e cila çdo vit po e ndihmon komunë tonë përmes granteve stimuluese në fusha të veçanta, aty ku komuna jonë po shënon performance të ngritur.
Në fund të këtij takimi kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, i dhuroi një libër ambasadores së SHBA-ve në Kosovë Tracey Ann Jacobson si dhe emblemën e qytetit të Ferizajt.
Ndërkaq ambasadorja amerikane Tracey Jacobson, ka theksuar se në komunën e Ferizajt është ndier si në shtëpinë e saj, duke falënderuar kryetarin Aliu për mirëpritjen e bërë. Ajo më pas ka bërë përurimin e transmetuesit të ri radio-televiziv të Qendrës Mediale "Tema" në Ferizaj, me të cilin transmetues ky medium elektronik do të shtrijë mbulueshmërinë me valë në një hapësirë bukur të gjerë të Kosovës.
Më pas ambasadorja e ShBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson ka deklaruar në Ferizaj se është optimiste për arritjen e marrëveshjes, në raundin më të ri të dialogut mes kryeminsitrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq që po mbahet në Bruksel. Ajo ka përgëzuar të dy kryeministrat për punën e tyre të palodhshme gjatë bisedimeve, ndërsa ka shtuar se një gjë e mirë që po ndodhë në raundin më të ri të dialogut, është pjesëmarrja e përfaqësuesve të partive opozitare nga të dy vendet. Pa pasur ndonjë informatë rreth ecurisë së dialogut apo edhe epilogut të këtij raundi bisedimesh, ambasadorja amerikane ka thënë Kosova dhe Serbia duhet të shikojnë kah e ardhmja dhe të lënë prapa vitet e vështira.
“Ky është rast me të vërtetë historik. Është rasti i fundit që edhe Kosova edhe Serbia kanë për të arritur diçka dhe të dyja e dinë që ky është rasti i fundit dhe duhet lënë prapa gjitha ato vite të vështira dhe të punojnë drejt diçkaje të vërtetë. Ju dëshiroj sukses ekipeve të përfshira në dialog dhe ekipit të Bashkimit Evropian (BE) si lehtësues i dialogut dhe zëvendës ndihmës sekretarit të shtetit amerikan, Filip Riker që ndodhet atje”, ka thënë Jacobson.
E pyetur rreth incidentit që ka ngjarë para dy ditësh, ku si rrjedhojë një kosovar ka marrë lëndime, ambasadorja Jacobson ka thënë se që prej fillimit të dialogut janë shënuar incidente, por ka shprehur fjalë të mira për kryeministrat që janë përqendruar në aspektet më përmbajtjesore.
“Kam respekt për të dy kryeministrat që janë përqendruar në punën e tyre, në pamjen e madhe dhe jo në çështje që kanë shpërqendruar nga i tërë procesi. Edhe pse ne dënojmë dhunën kudo, çka presim nga këto marrëveshje është që të kemi më pak dhunë, më pak incidente kudo”, tha ajo.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka pritur në një takim ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Tracey Ann Jacobson.