Banorët e lagjes Çollakëve të fshatit Gaçke i janë gëzuar pa masë rregullimit të rrugës e cila është jetike për ta. Për të parë nga afër punimet që po zhvillohen në këtë rrugë ka dal edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu së bashku me Drejtorin e Planifikimit, Zhvillimit dhe Rindërtimit Ardian Ferizin me bashkëpunëtorë të tjerë.
Sipas drejtorit Ferizi, rruga në fjalë ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe, për shkak se përmes kësaj rrugë qytetarë mund të shkojnë edhe në fshatin Burrnik. Ai ka shtuar se kjo rrugë ishte edhe premtim i kryetarit të Komunës së Ferizajt, premtim ky i bërë gjatë vitit të kaluar.
“Këtë rrugë planifikojmë që të lidhet edhe me fshatin Burrnik, do të jetë rrugë me rëndësi të veçantë jo vetë për banorët, por e lagjes së Çollakëve, por edhe për banorët e Burrnikut të cilët do ta kenë më të lehtë qarkullimin rreth kësaj rrugë të asfaltuar”, tha Ferizi.
Kjo rrugë është e gjatë rreth 1300 metra dhe me gjerësi prej 5 metra. Ky projekt është i përbashkët i Komunës së Ferizajt dhe banorëve të fshatit Gaçke, ndërsa ka koston mbi 150 mijë euro.
Kryetari i fshatit Gaçkë, Feriz Sejdiu, ka falënderuar të parin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliun, që po bëjnë rregullimin e kësaj rruge e cila ka vlerë të madhe për ta.
“Vërtetë kjo rrugë ka qenë në gjendje të keqe, tashmë po bëhet një rrugë krejtësisht e re dhe ne banorët e fshatit jemi shumë të kënaqur”, është shprehur Sejdiu.
Në fshatin Gaçke jetojnë afër 2 mijë banorë.
Për të parë nga afër projektin i cili po realizohet në fshatin Gaçke këtë të enjte doli edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu së bashku me Drejtorinë e Planifikimit, Zhvillimit dhe Rindërtimin Ardian Ferizin si dhe me bashkëpunëtorë të tjerë.