Në Sazli të Ferizajt filloi projketi i ujësjellësit
07/05/2013 00:00
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, projektin e ri të ujësjellësit e ka quajtur të një rëndësie shumë të madhe, për faktin se po zgjidhet një problem jetik për banorët e 11 fshatrave të Komunës së Ferizajt. Projekt ky i përbashkët i Komunës së Ferizajt, Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë Zvicrrane.
“Ky investim ka kushtuar këtyre tri institucioneve në vlerën 1,500,000 €. Në këtë ditë të veçantë urojë të gjithë banorët të gjithë qytetarët e fshatit Sazli, Pojatë, Prelezin i Jerlive dhe ata të Muhaxherëve , Surqinë, Bablak, Rahovicë, Mirosalën, Papaz dhe Softaj sepse të gjithë do të pajisen me rrjet të ujësjellësit, përveç atyre që kanë rrjet të ujësjellësit me puse të reja dhe praktikisht ky është një moment që do të ketë ujë të bollshëm dhe kualitativ”, ka thënë Aliu, duke shtuar se Komuna e Ferizajt çdo here është e gatshme për t’i ndihmuar banorët e Ferizajt.
“Edhe ne si Komunë e Ferizajt, jemi jashtëzakonisht të lumtur që kemi gjetur donatorë, Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Qeverinë Zvicrrane që është një donatorë i përhershëm. Tashmë e dini që së bashku me qeverinë zvicerane po ashtu jemi duke përfunduar një projekt të rëndësishëm për qytetin e Ferizajt, një investim së bashku edhe me ndërtimin e rrugës”Rexhep Bislimi”, i cili kap vlerën mbi 7 milion euro dhe kjo është dëshmia më e mirë se Komuna e Ferizajt, për çdo ditë e më shumë është duke bërë investime të mëdha dhe të rëndësishëm me shuma milionëshe, kjo është falë politikave të përgjegjëshme që ne kemi me qytetarët e Ferizajt”, tha Aliu.
Zv. ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik Ramadan Hasani, ka thënë se ky është projekt shumë i madh për qytetin e Ferizajt, por edhe për fshatrat për rreth.
“Qeveria po bënë angazhime shumë serioze që këto probleme të eliminohen, që qytetarët të kenë një mirëqenie, të kenë ata që është me elementare të kenë ujin, rrugën, gjithçka që është mese e domosdoshme”, ka thënë Hasani.
Edhe deputeti i Parlamentit të Republikës së Kosovës, Elmi Reçica, ka thënë se po bëjnë përpjekje maksimale që qytetarët ferizajas të kenë të gjitha kushtet e jetës.
“Çështja e ujit është një nga çështje jetike edhe për nga shoqëri, prandaj duke parë të arsyeshme se ujit është pjese e domosdoshme e njeriut, edhe komuna edhe kryetari edhe qeveria, edhe ne si deputet kemi qenë të angazhuar që kudo që ka probleme me ujë, kudo që ka mundësi të kemi investime ta rregullojmë ose ta ndryshojmë për të mirë jetën e qytetarëve”, është shprehur Reçica.
Ndërsa zyrtarë të CDI-së zvicrane kanë thënë se edhe në të ardhmen do të bëjnë projekte të reja të ujësjellësit në mënyrë që asnjë fshat i qytetit të Ferizajt, të mos mbetet pa ujë të pijshëm.
Në fshatin Sazli, kanë filluar punimet në rrjetin e ujësjellësit. Në këtë përurim morri pjesë Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, Deputeti i Parlamentit të Republikës së Kosovës, Elmi Reçica, zv.ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Ramadan Hasani si dhe mysafirë të tjerë.