Hyseni do të drejtojë Qendrën e Kompetencës, një shkollë e mesme regjionale e infermierisë, e cila do të përgatis kuadro në disa prej profileve medicianle shumë të kërkuara në tregun e punës brenda dhe jashtë vendit. Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu ka shprehur besimin se Hyseni ashtu siç ka udhëhequr me sukses DSHMS-së, ashtu do të arrijë rezultate kulminante edhe në këtë institucion, projekt i Qeverisë së Luksemburgut që ka një kosto investuese prej 4.5 milion euro.
"Drejtoria që drejtoi zoti Hyseni ishte vërtet një storie e suksesit. Afinitet e tija dhe kapacitetet menaxheriale që tregoi gjatë punës së tij, kanë qenë për lakmi jo vetëm nga ne, por edhe nga komunat tjera" ka thënë kryetari Aliu.
Ndërsa Hyseni ka folur për përgatitjet që janë duke u bërë në këtë fazë. Ai ka thënë se mund të ketë edhe sfida, por këto do të tejkalohen me kohë, marrë për bazë edhe përvojat e qendrave tjera kësodore që janë hapur vite më parë në Malishevë dhe Skenderaj.
"Është një shkollë jo komunale, por regjionale e përtej saj që përgatit profesione deficitare. Do të jenë 8 profile, të cilat i mungojnë sot shëndetësisë. Është një shkollë e tipit gjerman, me hapësirë të mjaftueshme, ku do të punohet vetëm në një ndërresë, ndërsa do të ketë një kombinim të njohurive teorike me praktikën profesionale që do të organizohet në shkollë dhe jashtë saj", ka thënë drejtori Hyseni.
Nga ana tjetër, numri një i arsimit të Ferizajt, Agim Berisha ka theksuar se në këtë shkollë do të mund të aplikojnë nxënës nga regjioni dhe vende tjera të Republikës së Kosovës dhe do të pranohen ata që përmbushin kriteret e përcaktuar nga MASHT-i.
Pas kompletimit me stafin udhëheqës u tha se nga 1 qershori do të fillojë rekrutimi i stafit mësimdhënës. Këta të fundit, deri më 1 shtator do të kryejnë trajnimet bazike për mësimdhënie në këtë qendër.
Në klasa të dhjeta do të ketë 8 paralele, sa ka profile, ndërsa paralelet do të kenë vetëm na 24 nxënës. Profilet, të cilat u promovuan ditë më parë janë: teknik i farmacisë, audiometrist, asistent i ortopedisë, teknik i ortoprotetikës, asistent i kujdesit social-shëndetësor, teknik i optikës, asistent i sigurisë ushqimore dhe dietave si dhe teknik dentar.
Ndryshe, Hyseni mendohet të jetë personi më adekuat për të qenë të krye të kësaj qendre, pasi ka të mbaruar shkollimin përkatës të lartë për infermieri dhe një specializim në Irlandë për këtë lëmi, ndërsa ka përfunduar edhe studimet për letërsi dhe gjuhë shqipe në Universitetin e Prishtinës.
Drejtori i deritashëm i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Bashkim Hyseni është liruar nga detyra që ka ushtruar tash e disa vite.