Në konferencën e sotme për gazetarë Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka theksuar se nënshkrimi i kontratës me kompaninë “Pepenburg- Ardiani” është bërë pas zbatimit të procedurave transparente dhe në kuadër të akteve normative ligjore, për realizimin e projektit më të madh deri më tani të ekzekutuar nga Komuna jonë.
“Sot u ndjeva i privilegjuar ta nënshkruaj kontratën, e cila na hap rrugët e fillimit të punimeve për rregullimin e rrugës “Rexhep Bislimi”, ka thënë Aliu, ndërsa ka shtuar se ky projekt, është i rëndësisë së shumëfishtë për Komunën tonë.
“Së pari, një rrugë në rrënim e sipër, do ta funksionalizojmë në kufijtë maksimalë të mundshëm të një rruge moderne.
Së dyti, ky projekt është i rëndësisë strategjike për Komunën tonë. Zgjerimi i rrugës Rexhep Bislimi, në katër shirita rrugorë, përfshirë edhe tërë infrastrukturën përcjellëse, mbi e nën tokësore, krijon lehtësi në qarkullim, mundësi më të mëdha për zhvillim biznesi, jetë më cilësore për qytetarët tanë dhe komunikim shumë më të mirë brenda komunal dhe ndër-komunal.
Së treti, rregullimi i rrugës Rexhep Bislimi, do të shtojë peshën e qytetit tonë, në planin politik dhe ekonomik sepse do të lidhet funksionalisht në kuadër të parametrave efektivë e strategjikë, me autostradën e ardhshme Prishtinë-Shkup.
Së katërti, duke marrë parasysh se rr. Rexhep Bislimi, ka marrë pamjen e një kuarti të përfaqësimit identitar të qytetit tonë në fushën e arsimit, atij universitar, të mesëm, fillor dhe të profesionalizuar, rregullimi i rrugës sipas standardeve moderne, është i destinuar të përballojë fluksin e prurjeve të mëdha për qytetin e komunën tonë, nga të gjitha qendrat tjera, brenda dhe jashtë vendit.
Së pesti, na duket shumë e rëndësishme që si Komunë, nëpërmjet kontratave të tilla të vlerave më të mëdha, po dëshmojmë se kemi krijuar kapacitete të mjaftueshme për t’iu dalë zot veprave publike më të vështira për standardet tona, sikurse jemi të lumtur që nëpërmjet projekteve të tilla, ndihmohen edhe kompanitë tona ndërtimore për të marrë përsipër realizimin e veprave të tilla të rëndësishme” ka potencuar këto fakte numri një i qeverisë lokale të Ferizajt Agim Aliu.
Kryetari i Ferizajt Agim Aliu, ka thënë se investimet, tash e pesë vjetë, kanë dalë nga shtrati ekzistencial i perceptimit dhe kanë prekur formën strategjike të projektimit e realizimit.
” Sivjet, do të fillojnë së realizuari edhe tri vepra të tilla të ngjashme, në rrugën “Brahim Ademi” në rrugën “Driton Islami” dhe në rrugën Ferizaj, Jezerc, Suharekë, me vlerë rreth 12 milionë euro, në bashkëfinancim edhe me Ministrinë e Infrastrukturës. Me këto vepra të ndërtimit e modernizimit të rrugëve, Ferizaj, përfundimisht, do të bëhet një qendër që do të komunikojnë në formë moderne me vetë kapacitetet e tija të brendshme dhe në mënyrë të veçantë, do të përmirësohet në plan strategjik komunikimi ndër-komunal e ndër-rajonal”, nënvizoi Aliu.
Ai ka thënë se kompania fituese e realizimit të projektit të rrugës “ Rexhep Bislimi”, do të kryej me përgjegjshmëri e seriozitet punimet.
”Në kryerjen e punës do të kërkojmë respektim të dinamikës së kryerjes së punëve, në mënyrë që pengesat për qytetarët e bizneset, të jenë më të voglat e mundshme, në fazën e realizimit. Sikurse kemi bashkëbiseduar deri më tani, edhe gjatë fazës së kryerjes së punëve, do të jemi gjithnjë në partneritet me bashkëqytetarët tanë të rrugës “Rexhep Bislimi”, në mënyrë që kjo vepër publike, të kryhet me efektivitet të plotë, qoftë në planin kohor, qoftë në atë teknik të cilësisë së kryerjes së punimeve”, është shprehur Kryetari Aliu.
Nga ana tjetër përfaqësuesi i Kompanisë “Papenburg- Ardiani”, Muhamet Dervishi, ka falënderuar Komunën e Ferizajt, për besimin e dhënë në këtë projekt duke shtuar se në realizimin e këtij projekti do të punojë me përkushtim të madh.
“Falënderoj Komunën e Ferizajt për besimin e dhënë për realizimin e zgjerimit të rrugës “Rexhep Bislimi” me katër korsi. Realizimi i këtij projekti kaq madhor, do të jetë një angazhim maksimal si çdo here i kompanisë sonë në realizimin e këtij projekti, por në kërkojmë bashkëpunim edhe me qytetarët në mënyrë që edhe ne, por edhe qytetarët të mos kenë pengesa gjatë realizimit të këtij projekti", tha Dervishi.
Projekti i rrugës “Rexhep Bislimi”, është projekt dy vjeçar dhe do të kushtojë rreth 1.8 milion euro. Kompania fituese e këtij projekti është zotuar se shumicën e punimeve do të kryhen brenda këtij viti.
Ky projekt është njëri ndër projektet më të mëdha për këtë vit.