Kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu dhe nënkryetari Besim Zymberi me bashkëpunëtorë të tjerë nga afër kanë inspektuar punimet që po bëhen në asfaltimin e rrugës në lagjen Spahiaj të fshatit Greme.
Nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Besim Zymberi ka theksuar se asfaltimi i kësaj rruge për banorët e lagjes Spahiaj është vepër e madhe.
“Kemi dal që të festojmë bashkë me qytetarët e Gremës në veçanti me qytetarët e lagjes Spahiaj, me rastin e finalizimit të rrugës së asfaltuar e cila do të jetë një vepër me shumë, dhe e rëndësisë së veçantë për qytetarët e fshatit Greme dhe për qytetarët e gjithë territorit që gjenden për rreth këtij lokaliteti. Sot po bëhet asfaltimi i rrugës në gjatësi prej 1. 100 metra me gjerësi prej 5 metrash ndërsa, pas këtij projekti do të bëhet edhe asfaltimi i pjesës tjetër që lidh këtë pjesë me fshatin Varosh”, ka thënë Zymberi, duke potencuar faktin se fshati Greme do të bëhet më urbanizuar dhe do të krijojë mundësi më të mëdha për integrim për gjithë komunitetin rreth fshatit Greme.
“ Natyrisht ky nuk është projekti i vetëm në Greme që do të realizohet sivjet do të kemi asfaltime edhe të një rrugë në lagjen e Berishëve, do të kemi ndërtimin e shkollës fillore një projekt i premtuar kaherë e që sivjet do të realizohet në fazën e ndërtimit të vrazhdë, do të kemi edhe projekte më të vogla që do t’i rregullojmë sivjet. Ne konsiderojmë se banorët e fshatit Greme kanë arsye të veçantë për të festuar për arsye se në vjetët e fundit ky fshat i cili ka qenë i lenë anash shumë vite në investime ka përjetuar një transformim rrënjësor me rregullimin e veprave të shumta publike të cilat i kanë dhënë një identitet të ri gjithë fshatit Greme për të krijuar mundësi më të mira për jetë, por në veçanti edhe për zhvillimin më të hovshëm të bizneseve pasi fshati Greme dallohet për biznese të fuqishme ne veçanti për përpunimin e drurit”, ka thënë Zymberi.
Ndërsa përfaqësuesi i lagjes Spahiaj Sylejman Rexhepi, ka thënë se ky projekt ka rëndësi shumë të madhe për banorët e kësaj lagje.
“Sot është një ditë e veçantë për të gjithë bashkëfshatarët tanë, se kaherë e kemi pritur një gjë të tillë dhe më në fund arritëm”, ka thënë Rexhepi.
Në lagjen Spahiaj të fshatit Greme jetojnë rreth 2 mijë banorë. Ky projekt ka kushtuar 100 mijë euro.
Banorët e lagjes Spahiaj e fshatit Greme i janë gëzuar pa masë asfaltimit të rrugës së tyre.