Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Komunës së Ferizajt, këshilltarët komunal kanë diskutuar për çështje të shumta. Por ajo e cila më së shumti ka ngjallur debat ka qenë ecuria financiare për periudhën janar-mars të këtij viti.
Partitë opozitare në Kuvendin e Komunës, kanë kritikuar ecurinë financiare për këtë periudhë kohore. Imri Hashani nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se nuk është aspak i kënaqur me këtë ecuri financiare.
“Jemi shumë mbrapa sa i përket të hyrave gjatë kësaj periudhe dhe nuk është realizuar ajo e cila është planifikuar”, ka thënë Hashani.
Zyrtarë të partive opozitare në këtë mbledhje kanë kërkuar që duhet të ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, për shkak të asaj se po diskutohet çështja e ecurisë financiare.
Këshilltari tjetër i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Ferizaj, Xhavit Zariqi, ka dhënë vërejtje të shumta sa i përket këtij raporti.
“10 për qind më pak ka pasur inkasim se sa në vitin e kaluar. Çështja e të hyrave vetanake po përsëritet çdo vit, pse Komuna nuk i ka ndërprerë kontrata atyre që i kanë borgj pasi i keni në dorë e jo tu vazhdohet sërisht”, ka thë Zariqi.
Nga ana tjetër Medain Hashani, nga Partia Demokratike e Kosovës në Ferizajt, ka theksuar se ecuria financiare për periudhën janar-mars të këtij viti ka shënuar trende pozitive.
“Unë përgëzojë Komunën e Ferizajt në këtë drejtim. Inkasimi ka qenë në nivelin mjaft të lartë”, ka thënë këshilltari Hashani.
Të gjitha këtyre akuzave i është kundërpërgjigjur edhe Drejtori i Drejtorisë së Ekonomisë dhe Financave Mustafë Grainca.
“Për këtë periudhë kohore arritëm të realizojmë të hyra në vlerë 779 mijë e 263 euro,përfshirë edhe të hyrat nga participimet e qytetarëve ,ndërsa përjashtuar këtë të fundit ne realizuam 720 mijë e 981 euro,duke realizuar planin prej 79%.53% si dhe vitin paraprak për të njëjtën periudhë prej 89.42%”, ka thënë Drejtori Grainca.
Deputetët e Asamblesë komunale kanë miratuar gjithashtu,edhe shumicën e pikave të rendit të ditës,përfshirë rekomandimin për dhënie në shfrytëzim të tokës së komunës investitorit “Kosova Gas”.Ndërsa ,në mungesë të votave të LDK-së,statuti i komunës së Ferizajt,nuk ka marrë dritën jeshile në Kuvend.
Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Ferizajt, këtë të mërkurë kanë diskutuar gjerë e gjatë lidhur me rendin e ditës I përcaktuar për këtë mbledhje.