Me një akademi është përkujtuar me pietet figura e veprimtarit dhe intelektualit të njohur ferizajas, Mustafë Rexhepi në 32-vjetorin e ndarjes së tij jeta. Në këtë akademi folësit kanë vënë në pah anë të portretit të tij dhe përkushtimit të thellë ndaj kauzës për liri e demokraci. Profesor Shyqri Galica ka thënë Mustafë Rexhepi kishte tipare të njeriut të urtë, komunikativ, të hapur e guximtar që nuk u trand asnjëherë ndaj presioneve që i bëheshin nga pushtetit komunist serbo-jugosllav.
Ai ka vënë theksin në vitet 70 dhe fillimin e viteve 80, në kohën e vlimeve të mëdha që ngjanë në Kosovë, kur tendencat për të serbizuar çdo gjë shqiptare dita më dita po nxirrnin kokë. Sipas Mustafa, duke qenë një personalitet i veçantë dhe intelektual me vrull uragani, për asnjë çast nuk u shmang nga vija e përcaktuar kombëtare dhe diti mire të përballojë sfidat e kohës.
"Mbetet personalitet i lëvizjes atdhetare, një figurë e veçantë intelektuale që me gjakftoësi përballoi situatat e rënda dhe vuri kontakte personalitete tjera që vepronin aso kohe në Kosovë" ka thënë profesor Galica.
Edhe kreu komunal i Ferizajt ka nënvizuar se Mustafë Rexhepi ishte ai që u vu në funksion të mbrojtjes së ekonomisë vendore që pushteti i kohës synonte edhe këtë ta serbizonte, dhe kjo e kishte bërë të afërt me punëtorët e Autoshtëpisë së Ferizajt, ndërmarrje kjo që pas vdekjes së tij do ta bart emrin e tij.
"Në përpjekjet e tilla nuk ishte i vetëm. Respekti për të ishte i madh atëherë dhe akoma kësisoji ka mbetur edhe sot" ka thënë Aliu.
Në këtë akademi kanë folur edhe kolegë të tij dhe familjarë.
Akademinë e ka madhëruar kori i qytetit të Ferizajt, ndërsa në fund është shfaqur edhe një program dokumentar kushtuar kësaj figure atdhetare.
Nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, është mbajtur akademi përkujtimore në 32-vjetorin e ikjes në amshim të intelektualit dhe veprimtarit Mustafë Rexhepi.