Është bërë asfaltimi i rrugës në Slivovë të Ferizajt, rrugë kjo e cila lidh fshatin Slivovë me fshatin Dremjak të Komunës së Ferizajt. Për të parë nga afër asfaltimin e kësaj rrugë mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit, Zhvillimit dhe Rindërtimit Ardian Ferizi si dhe bashkëpunëtorë të tjerë, përveç zyrtarëve komunal në këtë asfaltim morrin pjesë edhe banorë të këtyre lagjeve.
Me këtë rast Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit, Zhvillimit dhe Rindërtimit në Ferizaj, Ardian Ferizi, ka thënë se ky projekt është i përbashkët i Komunës së Ferizajt dhe Ministrisë së Infrastrukturës.
“Në kuadër të shumë projekteve që kemi bërë gjatë vitit të kaluar së bashku me Ministrinë është edhe kjo rrugë që lidh fshatin Slivovë me fshatin Dremjak. Të gjitha këto projekte kanë rëndësi jetike për banorët e këtyre fshatrave”, ka thënë Ferizi.
Nuredin Avdyli nga fshati Slivovë, ka falënderuar Komunën e Ferizajt, për asfaltimin e rrugës së tyre.
“Jemi shumë të kënaqur me këtë rrugë të asfaltuar. Kemi pasur probleme të shumtë edhe nxënësit e kanë pasur të pamundur që të shkojnë në shkollë” është shprehur Avdyli.
U bë e ditur se gjatësia e kësaj rrugë është 2.2 kilometra dhe me një gjerësi prej 5 metrave dhe ka kushtuar rreth 187 mijë euro.
Gjatë ditëve në vijim do të ketë edhe asfaltime të tjera të rrugëve si në fshatra po ashtu edhe në qytet.
Edhe këtë të hëne kreu i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu dhe drejtori i Drejtorisë së Planifikimit,Zhvillimit dhe Rindërtimit Ardian Ferizi, inspektuan punimet që po bëheshin në asfaltimin e rrugës së fshatit Slivovë.