Body-bilderi nga Ferizaj, Besim Trena ka falënderuar të enjten kryetarin e Ferizajt, Agim Aliut për mbështetjen që i ka dhënë me rastin e pjesëmarrjes së tij në gara ndërkombëtare. Ai ka arritur rezultatin më kulminant që mund ta arrijë një sportist, titullin e kampionit evropian në garat e mbajtura në Sllovendi dhe titullin e kampionit botëror, në kampionatin e mbajtur në Hungari. Këto rezultate të tij, u tha të jenë rezultatet më të larta të arritura ndonjëherë nga body-bilderët kosovar.
"Ka qene hera e parë që kam marrë pjesë në këto gara dhe ka arritur këto rezultate. Jam i kënaqur me rezultatet dhe ndiej kënaqësi të falënderoj nga zemra, kryetarin Agim Aliu për mbështetjen. Nuk do të ndalem, do të vazhdojë edhe më tej me këto rezultate" ka thënë Trena.
I kënaqur me tre trofetë e sjellur në Ferizaj ka qenë edhe numri një i Ferizajt, Agim Aliu. Ai ka thënë se Besimi përveç se është krenaria e Ferizajt, është edhe krenaria e shtetit të Kosovës, të cilin e ka përfaqësuar në mënyre dinjoitoze në arenën ndërkombëtare.
"Ferizaj po bëhet qendër e shumë rezultateve kulmore që po arrijnë sportistët si në gara kolektive ashtu edhe në ato individuale. Ne besojmë se Besim Trena do të përsëris këto rezultate të mira të shënuara tash. Ne do të vazhdojmë të mbështesin sportistët, të cilat në mënyrë madhështore përfaqësojnë shtetin tonë në arenën ndërkombëtare" ka thënë kryetari Aliu.
Edhe njëri nga drejtuesit e këtij sporti, Basri Hasani ka përkujtuar se sportistët janë ambasadorët më të mirë të një shteti dhe se çdo trofe i fituar në këto gara është trofe për Kosovën.
"Me Besimin po filon një erë e re e suksesshme në sportin e body-bildingut të Ferizajt. Edhe më parë sportistët ferizajas kanë shënuar rezultate të lakmueshme, por rezultatet e Besimit janë kulminante", ka thënë Hasani.
Ndryshe, besim Trena premtoi se në gara kampionale vendore si dhe ato që do të mbahen në fund të vitit, do të arrijë të shënojë rezultate të reja.
Besim Trena sjell tre trofetë e fituara në garat ndërkombëtare