Këtë të hënë janë bërë homazhe në nderim të dëshmorëve Hyre Emini- Mira dhe Ibrahim Ademi- Teteja që ranë në altarin e lirisë 12 vite më parë në Tanushë të Gostivarit.
Për t’i përkujtuar këta dëshmorë me homazhe morën pjesë qytetarë të shumtë, Drejtorë të Drejtorive Komunale të Ferizajt, përfaqësues të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve si dhe drejtues të Shoqatave të Dala nga Lufta e Maqedonisë si dhe familjarë të dëshmorëve.
Me këtë rast Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Ferizaj Gafurr Bytyqi, ka thënë se këta dy dëshmorë nuk u ndalën pas luftës së Kosovës, por vazhduan edhe në Maqedoni.
“ Ranë në mënyrën me heroike të mundshme, ranë për të mos vdekur kurrë. Kosova dhe gjithë shqiptaria krenohen me iluministen, patrioten, intelektualen e shquar Hyrë Eminin-Mirën dhe me guximin e pa shoqë të Ibrahim Ademit TT-në”, ka thënë Bytyqi.
Nga ana tjetër Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës në Maqedoni Fazli Veliu këta dy heronjë i ka vlerësuar larte për heroizmin e treguar në luftën që zhvilluan në Maqedoni.
“Dëshmorët e rrethinës së Ferizajt, janë dëshmorë që ranë në moshën më të re nga të gjitha viset shqiptare. Ata luftuan që te kemi një frymarrje më të lirë në gjitha viset shqiptare. Ata ranë në një aksion që kishte për qëllim kalimin në Kërçovë dhe depërtimi në Pellagoni, për marrjen të pjesë së Manastirit që na takonte. Ata ranë duke kryer një detyrë profesionale, katër heronjtë tanë dhe një heroinë. Ne kemi dhembjen e pashtershme, por edhe përkushtimin për të çuar në vend mesazhet e tyre, të bëhet Kosova dhe të shkojë drejt bashkimit kombëtar”, është shprehur Veliu.
Ndërsa familjarët e dëshmorëve Hyre Emini-Mira dhe Brahim Ademi –Teteja, janë shprehur se dhembjen e tyre tashmë e kanë shndërruar në krenari.
“Jemi krenar për këtë ditë që i kujtojmë këta dëshmorë të cilët si sot në këtë ditë ranë dëshmorë në Tanushë të Gostivarit, në luftën për bashkim kombëtar. Krenaria është natyrisht edhe dhembja , por kur dihet për idealin që kanë ra dominon krenaria”, është shprehur Ramdan Emini i vëllai i dëshmores Hyre Emini.
Edhe Tefik Ademi, babi i dëshmorit Brahim Ademi Tt-ja është shprehur mjaft i kënaqur me pjesëmarrjen në këto homazhe me rastin e 12 vjetorit të rënies heroike të dëshmorëve.
“Jemi krenar për bijtë që i patëm dhe që ja falum këtij dheu. Janë të prekshme pak këto ditë për neve familjarët mirëpo kur ka vizita dhe homazhe ndjehemi mjaft mire” është shprehur Tefik Ademi, babai i dëshmorit Brahim Ademi.
Bashkë me komandant Tahir Sinanin, Mirën dhe Teten në Tanushë të Gostivarit, më 29 korrik 2001 ranë në altarin e lirisë edhe Naser Ademi, Hisë Fazliu.
Në përvjetorin e 12 të rënies së tyre është paraparë mbajtja e një sërë manifestimesh në Gostivar dhe rrethinë.
Në 12 vjetorin e rënies të hënën në Varrezat e Dëshmorëve të UÇK-së në Ferizaj janë përkujtuar Hyrë Emini-Mira dhe Brahim Ademi-Teteja, të rënë në Tanushë në afërsi të Gostivarit. Bashkëluftëtarë të shumtë, të afërmit dhe qytetarë të Ferizajt mbi varret e tyre kanë vendosur kurora me lule në shenjë respekti dhe janë përkulur thellë para sakrificës së tyre sublime.