Këtë të premte ka filluar asfaltimi i rrugës në fshatin Rahovicë. Rrugë kjo e një rëndësi te madhe e cila do të lidhë edhe shtatë fshatra të tjera të kësaj ane. Ardian Ferizi, Drejtor për Planifikim, Zhvillim dhe Rindërtim në Ferizaj, ka theksuar faktin se kjo rrugë do të ketë lidhjen e saj edhe me fshatin Mirosale.
“Kjo rrugë është pjesë e rrugëve që do të bëhen për lidhjen e fshatrave të këtij rajoni. Përfituese të kësaj rruge përveç fshatit Rahovice, do te jene edhe gjashte fshatra të tjera si Sazlia, Softaj, Papazi, Pojata, Mirashi dhe Mirosala. Është fjala për lidhjen e rrugës Softaj-Rahovicë-Mirosalë, ku këta banorë të kësaj ane, nuk do të kenë nevojë të shkojnë në Ferizaj për të shkuar në Gjilan ose në Anamoravë, por do të kenë një rrugë shumë të shkurtë që do ta kenë nëpër Rahovice dhe Mirosalë dhe ata rrugën e tyre do ta shkurtojnë për mbi 15 kilometra të qarkullimit”, ka thënë Ferizi.
Banorët e këtyre fshatrave më këtë rast janë shprehur mirënjohës Komunës së Ferizajt, për realizimin e këtij projekti jetik për ta.
Kjo rrugë ka një gjatësi prej 3.9 kilometra dhe ka kushtuar 330 mijë euro. U bë e ditur se tash për tash në fshatin Rahovicë, po punohet edhe në realizimin e projektit për ndërtimin e fushës sportive .
Ky projekt konsiderohet si tejet i rëndësishëm për komunitetin e kësaj ane. Për të parë nga afër punimet në këtë rrugë doli edhe Drejtori i Planifikimit, Zhvillimit dhe Rindërtimit Ardian Ferizi me bashkëpunëtorët e tij.