Udhëheqës të pushtetit lokal të Ferizajt dhe banorë të fshatrave Varosh e Greme të Ferizajt, kanë përshkuar këmbë të dielën rrugën e asfaltuar që do të lidhë më mirë mes vete këto lokalitete. Këta të fundit kanë falënderuar Komunën e Ferizajt për këtë projekt të asfaltimit të rrugës që do të rris ndjeshëm komunikimin dhe do të krijojë mundësi më të mira qarkullimi.
Hyzri Zymberi nga fshati Varosh ka thënë se më parë kjo rrugë ka qenë në gjendje për keqardhje, shpesh e pakalueshme dhe duke qenë në këtë gjendje ajo ka qenë pak e qarkullueshme.
"Kjo udhë që po asfaltohet ka rëndësi të veçantë për komunitetin e këtyre dy fshatrave, pasi që do të krijojë mundësi të mira qarkullimi. Më parë ka qenë në gjendje të rëndë dhe e paqarkullueshme, sidomos gjatë vjeshtës dhe dimrit, ndërsa gjatë verës e tëra e mbuluar me pluhur" ka thënë Zymberi.
Edhe Adem Misini nga Lagjja e Spahiajve të Gremës këtë vepër e ka vlerësuar të jetë një fitore për komunitetet.
"Rruga në të kaluarën ka qenë e dobët, ka pasur pengesa të jashtëzakonshme. Është një ditë e madhe për ne fshatarët, pasi është një udhëkryq që lidhë rrugët e shumë fshatrave me qytetin. Pra, është një fitore e madhe për gjithë fshatarët dhe Komunën e Ferizajt" ka theksuar Misini.
Të gëzuar tej mase kanë qenë edhe banorët e tjerë të këtyre dy lokaliteteve. Sylejman Rexhepi ka falënderuar qeverinë lokale për punën që po bën, ndërsa kryetarit Agim Aliu i thënë që të vazhdojë të punojë edhe në të ardhmen, duke e porositur që "gjithnjë të kenë parasysh qytetarin"
Ndryshe për rëndësinë e kësaj rruge ka folur drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës, Ardian Ferizi. Ai është shprehur se kjo rrugë përbën një arterie me rëndësi dhe krijon mundësi për një qarkullim alternativ të qytetarëve, jo vetëm të këtyre dy fshatrave.
"Është një rrugë prej 1.1 kilometër, ka një gjerësi prej 5 metrash dhe ka kushtuar 96 mijë euro. Është një projekt, të cilin e ka financuar komuna dhe sot është duke u finalizuar ky projekti që është i vitit 2013", ka thënë drejtori Ferizi.
Zyrtarët komunal të Ferizajt kanë thënë se nga asfaltimi i rrugëve kryesore të qytetit dhe fshatrave, komuna ka filluar së realizuari projektet e lidhjes së fshatrave, për të racionalizuar kohën për banorët lokalë, për të ulur koston e shpenzimeve të karburanteve nga ana e tyre dhe për t’u krijuar një qarkullim më të lehtë dhe më të shpejtë deri tek destinacioni i tyre.
Udhëheqës të pushtetit lokal të Ferizajt dhe banorë të fshatrave Varosh e Greme të Ferizajt, kanë përshkuar këmbë të dielën rrugën e asfaltuar që do të lidhë më mirë mes vete këto lokalitete.