Filloi asfaltimi i rrugës Balaj- Neredime me një gjatësi prej 7 kilometra, rrugë kjo me të gjitha standardet që i takojnë një rruge regjionale. Ky projekt po realizohet në kuadër të investimeve të infrastrukturës që po bënë Komuna e Ferizajt. Për të parë nga afër punimet që po zhvillohen në asfaltimin e kësaj rruge ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i cili e ka vlerësuar këtë projekt shumë të rëndësishëm për faktin se kjo rrugë lidhet edhe me Komunën e Therandës ndërkaq do të ketë dalje edhe në autostradën “Ibrahim Rugova”.“Sot po fillon finalizimi i një projekti jashtëzakonisht të rëndësishëm për qytetin e Ferizajt, për qytetarët e Ferizajt si dhe për banorët e grykës së Neredimës. Po e quajmë rrugë regjionale, sepse kjo tashmë do të lidhet me Komunën e Therandës dhe tashmë janë në përfundim procedurat e tenderimit edhe nga ana e Therandës dhe praktikisht rëndësia e qytetit të Ferizajt dhe kësaj gryke shtohet për faktin se përmes rrugës së Neredimes dhe Therandës kjo pjesë lidhet edhe me autostradën ose me rrugën e kombit ” Ibrahim Rugova”, është shprehur Kryetari Agim Aliu.
Është menduar se rregullimi kësaj rruge do të sjellë edhe projekte të tjera të cilat do të ndikojnë dukshëm në përmirësimin e kualitetit të jetesës. Kryetari Aliu ka thënë se në këtë zonë është paraparë edhe ngritja e një ujëmbledhësi i cili do të bëjë zgjidhje afatgjate të furnizimit me ujë jo vetëm të komunës së Ferizajt por edhe të komunave tjera për rreth.
"Më këtë rrugë krahas rritjes së atraktivitetit tursitik të kësaj ane e cila ka potencial të pakrahasueshëm, në këtë zonë është paraparë që të ngritet edhe një ujëmbledhës i cili përfundimisht do ti jep problemit të ujit të pijes jo vetëm për komunën e Ferizajt, por edhe për disa vendbanime të komunave për rreth " ka shpjeguar Aliu.
Nga ana tjetër banorët e kësaj zonë i janë gëzuar pa masë asfaltimit të kësaj rrugë.
“Është rrugë e një rëndësie shumë të madhe për ne, për vet faktin se në këtë rrugë gravitojnë fshatra të shumta të kësaj pjese”, është shprehur Dr. Xhevdet Haxhidema.
Ky projekt kap vlerën rreth 1.8 milion euro, ndërkaq e ka financuar Ministria e Infrastrukturës dhe kjo është një dëshmi shumë e madhe për të treguar përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për qytetin e Ferizajt.
Për të parë nga afër ecurinë e këtyre punimeve mori pjesë, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, Drejtori i Infrastrukturës Ardian Ferizi si dhe bashkëpuntorë të tjerë.