“Mbas zonjushës Juli”, është shfaqja e cila ka hapur mbrëmë Festivalin e Teatrove të Kosovës në Ferizaj. Hapjen e këtij festivali e bëri Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i cili ka theksuar se këto tradita duhet të vazhduar ende, sepse ky festival është më i vjetëri në rajon i cili po organizohet për të 43-tën herë me radhë.
“Është shumë pak ajo çka ne jemi duke bërë për kulturën, por do të vazhdojmë, vazhdimisht që ta mbështesim, Sot jam këtu për t’u zotuar se këtë festival, do e mbështesim edhe më tepër sepse këtë e don publiku i Ferizajt, publiku i Ferizajt është më i veçantë dhe është më adhurues në Republikën e Kosovës i shfaqjeve teatrale dhe do të vazhdojë këtë mbështetje”, ka thënë Aliu.
Për shtatë net rresht në skenën e teatrit “Adriana Abdullahu” në Ferizaj, do të ngjiten qindra artist si nga Prishtina, Tirana, Shkupi, Kumanova, Gjilani dhe Ferizajt, por e veçanta e këtij Festivalit të Teatrove të Kosovës do të jetë se këtë vit do të jen edhe tri drama kombëtare.
Festivali i Teatrove të Kosovës ka karakter garues dhe për këtë qëllim ka përzgjedhur tashmë edhe jurinë profesionale e cili përbëhet nga profesor Fadil Hysaj- pedagog dhe dramaturg, Drita Krasniqi- aktore dhe profesor Agim Selimi- regjisor.
Juria e këtij festivali do të shpërblejë shfaqjen më të mirë dhe regjinë më të mirë ndërsa do të ndajë edhe çmimet “Adriana” për aktoren më të mirë dhe “Ismail Rama” për aktorin më të mirë.
Ndër çmimet tjera të festivalit do të jenë, roli i dytë femër, roli i dytë mashkull dhe roli epizodik, ndërsa gazetarët do ta ndajnë çmimin e medieve. Shfaqjet do të përcillen me debate dhe kritikë gjatë tryezave të cilat do të drejtohen nga dramaturgu Haqif Mulliqi.
Sipas organizatorëve, e veçantë e edicionit të sivjetmë, është se në kuadër të festivalit do të jenë dy kritikë të festivalit, Nebi Islami dhe Josif Papagjoni.
Risi tjetër është se në hollin e Teatrit “Adriana Abdullahu” do të vendosen dy libra të përshtypjeve ku do të mund të shkruhen vërejtjet dhe përshtypjet për këtë ngjarje teatrale.
Këtë eveniment kulturorë e hapi Kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu. Në këtë festival morrin pjesë përfaqësues të Qeverisë qindore, por edhe asaj lokale.