Me këtë rast kryetari i Ferizajt, Agim Aliu në hapjen solemne të këtij kabineti, ka thënë se aktiviteti i tij është institucional dhe aspak elektoral, për shkak se edhe më herët ka vizituar këtë institucion, sa herë janë hapur drejtime të reja apo edhe kanë diplomuar ndjekës të kurseve në profesione të ndryshme.
Aliu ka thënë se hapja e këtij kabineti ka rëndësi të shumëfisht, pasi rajoni i Ferizajt është rajon që njihet për zhvillimin e turizmit dhe të hotelerisë.
"Ky institucion, të cilin e kam vizituar 7 herë është i rëndësishëm sepse aftëson për punë të rinjtë, në kuadër të projekteve që ne jemi duke i zhvilluar dhe këto projekte janë të sektorëve të zhvillimit ekonomik, në këtë kontekst edhe të sektorëve të turizmit dhe na vie mirë qe sot jemi në këtë institucion për të hapur këtë kabinet që do të shërbej për zhvillimin e turizmit, për të mundësuar këta njerëz të punësohen në sektorin e turizmit", ka thënë Aliu.
Ndërsa ushtruesja e detyrës së drejtorit të kësaj qendre, Fatmire Salihu ka thënë se hapja e këtij kabineti ka lindur si nevojë dhe kërkesë e tregut të punës në bazë të analizave që kanë bërë këshilltarët e Qendrës së Punësimit.
"Duke pasur parasysh se Ferizaj e ka të zhvilluar hotelerinë, ka pasur kërkesa për aftësim për profesionet e kamarierit dhe banakierit" ka thënë drejtoresha Salihu, e cila ka theksuar se gjithë ata që ndjekin mësimin teorik dhe praktikën profesionale, ajnë më afër vendit të punës.
Ndryshe, në Qendrën e Aftësimit Profesional të Ferizajt janë përfshirë një numër i madh i të rinjve në drejtime të ndryshme profesionale, të cilët pas përfundimit të tyre e kanë më të lehtë depërtimin në tregun e punës.
Në kuadër të Qendrës për Aftësime Profesionale të Ferizajt të enjten është inauguruar kabineti i turizmit dhe hotelerisë, në të cilin të rinjtë e rajonit të Ferizajt tani e tutje do të kenë mundësi që të aftësohen në aspektin teorik të nxënies së njohurive dhe krijimit të shkathtësive të nevojshme për ofrimin e shërbimeve si kamerierë dhe banakierë.