Në këtë mbledhje komemorative, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se sot, ia besojmë dheut të tokës sonë, trupin e bacit Ilmi. Ndërsa, kujtesës së brezave të ardhshëm, ia besojmë veprën jetësore të atdhetarit e luftëtarit Ilmi Ferizi. Kryetari Aliu, ka evokuar edhe shumë kujtime të cilat i kishte me bacin Ilmi.
“Sa herë kemi pirë një kafe me bacin Ilmi, kemi ndjerë thellësinë edukative të mesazheve të tij. Jemi ndjerë gjithmonë nxënës të urtësisë e mençurisë së tij, jemi ndjerë gjithnjë të motivuar nga thirrja e tij për rreshtim dinjitoz në shërbim të atdheut dhe çështjes sonë të shenjtë”, ka thënë Kryetari Aliu, duke shtuar se Ilmi Ferizi, jetoi duke përballur me dinjitet dhimbjet e kohës.
“Por, nuk e kemi dëgjuar shumë të na fliste për to. Baci Ilmi, na foli shumë më tepër për frytin që do të duhej të kishin lindur ato vuajtje. Dhe fryti i atyre dhimbjeve, në shpirtin dhe motivimin e bacit Ilmi, ishte gjithnjë-liria në thellësinë e saj përmbajtsore. Ilmi Ferizi, ka prekur si puhizë e lehtë dheun dhe kalldërmet e fshatit të tij, qytetit të tij, Atdheut të tij. Dhe , nga ato ecje, shumë prej nesh mësuam se si duhet të puthim me afsh e adhurim një grusht të Atdheut tonë dhe se si duhet të qëndrojmë e flasim si gurë, në thirrjen për lirinë e tij”, ka potencuar Aliu.
Më tej Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se Ilmi Ferizi, asnjëherë nuk kërkoi të rreshtoheshim pas tij, mbase e kishim kuptuar me kohës, se mesazhi i tij na ftonte që të rreshtoheshim pas natyrshmërisë sonë, e cila, nuk mund të quhej ndryshe pos me emrin e shenjtë-Liri.
Për jetën dhe veprim e Ilmi Ferizi, ka folur edhe njëri ndër bashkëpunëtorët e tij të ngushtë Bajrush Xhemaili.
“Të gjithë ne, por disa prej nesh në veçanti, e kemi njohur zërin e tij të butë, asnjëher qortues. Por, ai zë, kishte kumbimin e një tufani kur lëshohej si thirrje për mobilizim drejt sendërtimit të ëndrrës sonë për lirinë, pavarësinë e bashkimin. Fuqinë e atij zëri, më së miri e njohën armiqtë tanë shekullorë. Në shpirtin e zi të tyre, baci Ilmi gjithmonë qëndroi si flakadani i triumfit të njerëzores kundër çnjerëzores”, ka thënë Xhemaili, ndërsa ka shtuar se Ikja e bacit Ilmi nga kjo botë, bëhet në një muaj të veçantë për shpirtin tonë.
“Është ky muaji i Flamurit tonë kuq e zi, i cili, në shpirtin atdhetar të Ilmi Ferizit, fluturonte kufijve natyralë të Shqipërisë, duke mos njohur gjembat dinake të ndarjes e copëtimit”, është shprehur Xhemaili.
Të pranishmëve me një fjale rasti i është drejtuar edhe Deputeti i Parlamentit të Republikës së Kosovës, Ilmi Reçica, i cili ka thënë se baca Ilmi, do të na mungojë të gjithëve-familjarëve, miqve dhe bashkëveprimtarëve, do të na mungojë fjala e tij frymëzuese, urtësia e tij, mendimi i ekuilibrit, fryma atdhetare dhe liridashëse, filozofia e tij e uniteti dhe e interesit kombëtar e shtetndërtues.
“Virtytet që e karakterizuan Ilmi Ferizin-Mëhillin, ishin sinqeriteti, aferist, dashamirësia, dashuria e pashtershme për shqiptarizmin, idealiteti dhe liridashësia”, ka thënë Reçica.
Të pranishmit në emër të familjes së Ilmi Ferizi, i ka përshëndetur i biri i të ndjerit, Ardian Ferizi.
Ilmi Ferizi u varros në varrezat e fshatit Papaz.
Në teatrin e qytetit “Adriana Abdullahu” në Ferizajt, u mbajt mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare Ilmi Ferizi.