Zyrtarë komunal kanë thënë se sikurse vitin e kaluar edhe sivjet komuna është ndarë në tri zona dhe ka caktuar tri kompani fitues që do të përkujdesen për rrugët gjatë dimrit.
Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Emergjencë, Ibrahim Hyseni , ka thënë, se kjo është bërë duke marrë për bazë gjendjen në teren. Sipas tij, projekti i mirëmbajtjes së rrugëve të komunës së Ferizajt, është i ndarë në tri Loto, i pari që mbulon pjesën e qendrës së qytetit dhe i është dhënë Kompanisë Rajonale për Mbeturina "Bifurkacioni" , ndërsa dy kompanitë tjera, "Rahovica kompani" dhe "Mirëmbajtja e ambientit", do të kujdesën për rrugët tjera të qytetit dhe të fshatrave të komunës.
"Siç dihet qytetin e Ferizajt e ndanë hekurudha në mes, orientimi ynë ka shkuar në atë drejtim që të kujdesen tri kompani, njëra për qendrën dhe dy tjera për pjesë tjera të qytetit dhe të fshatrave. Kjo praktikë ka rezultuar e mirë vitin e kaluar dhe për këtë arsye kemi menduar që edhe sivjet do të kemi një efikasitet kur është në pyetje mirëmbajtja e rrugëve " ka thënë Hyseni.
Komuna e Ferizajt, viteve të fundit ka bërë investime të dukshme në infrastrukturën rrugore, e cila në këtë sezone edhe kërkon një përkujdesje të shtuar.
Paralajmërimet se gjatë këtij sezoni do të ketë dimër të vështirë e më reshje të mëdha të borës,ka bërë që Komuna e Ferizajt, të angazhoj tri kompani për mirëmbajtjen e të gjitha rrugëve të komunës.