Aksioni fillimisht ka nisur në rrugën "Tahir Sinani" në afërsi të Kishës ortodokse, me ç’rast janë larguar dy veranda të ngritura pa lejen e komunës. E para, pronë e Xhelal e Bujar Shabanit, që ishte ngritur me material të fortë ndërtimi dhe tjetra në shfrytëzim nga Urim Osmani pronar i kafiterisë "Clipton".Këtë aksion gjatë gjithë kohës e ka shoqëruar edhe policia e Kosovës, ndërsa nuk është vërejtur ndonjë reagim i pronarëve të lokaleve. I kontaktuar me telefon, pronari i njërit lokal Xhelal Shabani, ka thënë se ngritjen e këtij aneksi e ka bërë shfrytëzuesi i këtij lokali dhe se gjatë kontraktimit, nga ai ka marr zotimin se do të pajiset me lejen e komunës. Ai ka thënë se nuk ka mundur të gjejë kompromis me komunën, ndërsa është ankuar për kohën e shkurtë që komuna u ka lënë në dispozicion për largimin e verandave.
Në anë tjetër, drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Faik Grainca, ka thënë se po zbaton vetëm disa vendime të inspeksionit të formës së prerë të marra para se ai të vije në postin e drejtorit, por që nuk janë zbatuar asnjëherë. Sipas tij, ky aksion i nisur po bëhet në bazë të një urdhërese të kryetarit të Ferizajt, Muharem Sfarqa, i cili ka kërkuar që të gjitha vendimet për objektet pa leje të ekzekutohen." Ne si drejtori e kemi përpiluar një plan të veprimit dhe kemi vendosur që fillimisht ti rrënojmë të gjitha objektet që janë në pronën publike dhe këtu nuk do ta bëjmë absolutisht asnjë lëshim. Unë shfrytëzoj rastin që ti paralajmëroj të gjithë ata që kanë uzurpuar në çfarëdo forme pronën publike, për t’ju ikur pasojave ti lirojnë vet ato." ka thënë Grainca.
Por, komuna nuk do të ndalet vetëm me kaq, paralajmërimet shkojnë edhe më larg edhe në largimin e objekteve të ndërtuara pa leje në prona private e që nuk e kanë pëlqimin paraprak të fqinjëve."E kemi një numër të madh të objekteve që janë ndërtuar pa leje dhe kemi vërejtje të shumta nga fqinjët, " ka thënë Grainca, duke e quajtur këtë si hapë të dytë që do ta ndërmarr komuna, po që do të vazhdohet edhe me një veprim tjetër në rrënimin e të gjitha objekteve tjera, të cilat me Ligjin për Trajtimin e objekteve pa leje nuk mund të inkorporohen në planin urban të qytetit.
Merret vesh se aksioni i nisur do të vazhdoj gjatë javës me largimin edhe të dy objekteve tjera në afërsi të shkollës teknike, për të cilat komuna ka zotim se vetë pronarët do ti largojnë ato. Grainca e ka quajtur gabim të madh shpërbërjen e Drejtorisë së Inspeksionit, duke paralajmëruar se komuna do ta shqyrton mundësinë e rikthimit të kësaj drejtorie, proces ky që sipas zyrtarëve merr kohë ngase inkorporon edhe ndryshimin e Statutit të komunës.
Komuna e Ferizajt ka nisur të enjten një aksion për lirimin e hapësirave publike të uzurpuara në mënyrë të paligjshme në vetë zonën e qytetit.